Eksportet në Kosovë mbeten shtatë herë më të ulëta se importet

PRISHTINË, 21 qershor /ATSH/ Kosova vazhdon të blejë shumë më tepër produkte nga jashtë se sa të shesë të vetat në tregjet e huaja.
Nga të dhënat e Doganës së Kosovës gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 2.9 miliardë eurosh, ndërsa ka eksportuar vetëm 419.2 milionë euro.
Kjo do të thotë se Kosova shpenzoi 2.5 miliardë euro më shumë për blerje nga jashtë se sa fitoi nga shitja e produkteve të veta jashtë kufijve.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet janë rritur për rreth 150 milionë euro. Ndërkaq, në raport me vitin 2024, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliardi euro më shumë mallra.
Krahasuar me vitet e kaluara, edhe eksportet kanë shënuar rritje, por ritmi i rritjes së importeve ka qenë dukshëm më i lartë. Në periudhën janar–maj 2025, Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 2.75 miliardë eurosh dhe eksportuar 356.8 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.39 miliardë euro. Derisa gjatë gjithë vitit 2025, Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 7.1 miliardë dhe eksporti dhe eksportuar mbi 900 milionë.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Gjermania renditet e para nga shtetet që ka vlerë më të madhe të importit në Kosovë duke u pasuar me Kinën dhe Turqinë.
Sipas këtyre të dhënave, Serbia ende mbetet në mesin e dhjetëshës së parë të shteteve që importojnë më së shumti në Kosovë. Në krahasim me pesëmujorin e vitit 2025 vlera e importit ka treguar rritje nga 91.1 milionë euro në 91.6 milionë euro sa është në të njëjtën përiudhë të këtij viti. Këtë e konfirmin edhe ministrja në detyrë, Kusa – Lila, ani se në informatat që i posedon, Serbia është jashtë 10-shes së parë të shteteve importuese në Kosovë. /KosovaPress/