Ekzekutimi i rojës së gurores, dhëndri i refuzuar: Se vrava

Viktima Lazër Jaku
SHKODER – Gjykata e Shkodrës vendosi dje masën e sigurisë arrest me burg për dy të arrestuarit e dyshuar si autorë të vrasjes së rojës së gurores së fshatin Gajtan të komunës Guri i Zi. Asnjëri prej të akuzuarve nuk pranoi implikimin në këtë ngjarje. Unë shkova të sqarohem me viktimën te vendi i tij i punës, në gurore. I kisha kërkuar të bijën për tu fejuar me të, por ai më kishte refuzuar krushqinë. Është e vërtetë që kam debatuar me të, por asgjë me shumë. Kur jam larguar e kam lënë të gjallë. Se çfarë ka ndodhur më pas me të, unë nuk di asgjë. Kështu është shprehur dje para togave të zeza i dyshuari kryesor i vrasjes, 25-vjeçari Eduard Kola. Ndërsa pronari i gurores, 30-vjeçari Renato Isufi, ka deklaruar se çiftja me të cilën është vrarë Lazër Jaku ishte e tij dhe se e kishte blerë atë për rojën që të ruante guroren. Pasi e gjeta të vdekur rojën, fsheha çiften në çastet e tronditjes. Por nuk kam dijeni se kush mund ta ketë vrarë atë, ose nëse ai mund të ketë vrarë veten. Prokurorja e çështjes theksoi se në vendngjarje është gjetur një pistoletë dhe një letër, të cilat janë çuar për ekspertizë. Pritet të verifikohet nëse shkrimi i lamtumirës i përket viktimës, ndërsa është vërtetuar se pistoleta e gjetur në vendngjarje nuk është arma e krimit. r.d