Elbasan-Vlorë, për rumunin Plesea

Turi i 79-të i Shqipërisë në çiklizëm ka vijuar të enjten me etapën e tretë, Elbasan – Vlorë me gjatësi 139 kilometra. Një etapë që është fituar nga rumuni Valentin Plesea, që përfaqëson CSA Steaua Cycling Team, ndërsa i ka përshkruar të 139 kilometrat në kohën 3h19’54”.
Edhe kjo etapë, ashtu sikurse dy të parat, që ishin Tiranë – Korçë dhe Korçë – Elbasan, është ndarë në metrat e fundit përpara finishit, ndërsa të gjithë kanë hyrë në të njëjtën kohë. I pari rumuni Plesea e pas tij Xhuriç dhe Kristea. Ndërkohë Ylber Sefa vijon të jetë mbajtësi i fanellës së verdhë, sikurse Mikel Demiri i së kuqes, ndërsa është edhe kryesuesi i klasifikimit të moshës deri në 23 vjeç.
Ndërkohë kombëtarja e Shqipërisë kishte vendin e parë në renditjen ekipore. Etapa e tretë kishte tre finishe të ndërmjetme. I pari në sprint në Papër në kilometrin e katërmbëdhjetë, të cilin e ka fituar Antonio Barac. I dyti, sërisht në sprint, në kilometrin e 66-të fituar nga Elshin Asadov dhe i treti në kilometrin e 96-të në Levan fituar Antonio Van Nopen. Shpejtësia mesatare e etapës ishte 41.720 kilometra në orë. Dhe menjëherë pas përfundimit të etapës së tretë rumuni Plesea do të jepte këtë përshtypje për RTSH Sport.
“Ishte një etapë e vështirë dhe një fitore e bukur njëkohësisht. Shumë konkurrencë e fortë, sidomos në kilometrin e fundit, por që ia arrita t’ia dalë. Vështirësitë janë rritur edhe për shkak të erës, apo dhe kohës së nxehtë në të cilën është pedaluar. Gjithsesi jam i kënaqur dhe shpresoj të vazhdojë kështu”.
Në përfundim të etapës është bërë dhe ceremonia për fituesit e saj, si dhe për fanellën e verdhë dhe të kuqe, kurse presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ka falënderuar të gjithë ata që bëjnë të mundur këtë Tur të Shqipërisë.
Etapa e katërt e Rrethit të 79-të të Shqipërisë është Vlorë – Gjirokastër, ndërsa i gjithë aktiviteti përfundon më 4 qershor.