E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan/Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike

Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, shuma parash në lekë dhe euro, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, dhe sende të tjera të kundërligjshme.Shpallet në kërkim shtetasi që posedonte lëndën narkotike, me qëllim shitjen në doza.Vihen në hetim 2 shtetas që dyshohet se do të blinin lëndë narkotike.

Në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të shitur lëndë narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shitblerja”, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit K. N., 40 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 kilogram e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (një pjesë e ndarë në doza), 1 peshore elektronike, 1 armë gjahu që posedohej pa leje, 71 700 lekë dhe 100 euro.
Në momentin e ndërhyrjes, 40-vjeçari nuk u gjet në banesë dhe vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit B. D., 37 vjeç dhe A. S., 20 vjeç, banues në Elbasan.
37-vjeçari u kap në afërsi të banesës së shtetasit në kërkim, ku dyshohet se po shkonte për të blerë doza. Nga kontrolli fizik, atij iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë).

Në afërsi të kësaj banese, u kap edhe 20-vjeçari me një sasi lënde narkotike me vete, të cilën dyshohet se kishte blerë nga shtetasi K. N.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›