Elbasani mund Dinamon, duelon me Egnatian për titullin

TIRANË, 24 maj/ATSH/ Elbasani rikthehet fuqishëm në garën për titullin kampion, pasi mposhti Dinamon me rezultatin e pastër 3-0 në sfidën e zhvilluar në “Arenën Kombëtare”.
Verdheblutë e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç përfituan nga superioriteti numerik që në minutën e 23-të, pas daljes me karton të kuq të Goudiaby për Dinamon. Vetëm dy minuta më pas, Tsague zhbllokoi rezultatin, ndërsa në minutën e 27-të realizoi edhe golin e dytë personal, duke i dhënë qetësi skuadrës elbasanase.
Në minutën e 38-të, Diallo vulosi suksesin e Elbasanit me golin e tretë, duke i dhënë goditjen përfundimtare skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, e cila humbi përfundimisht mundësinë për t’u shpallur kampione.
Pjesa e dytë u karakterizua nga një ritëm më i ulët loje, me të dyja skuadrat që krijuan pak raste për shënim dhe rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Pas kësaj fitoreje, Elbasani ngjitet në vendin e dytë me 34 pikë, po aq sa Egnatia. Verdhebluve do t’u duhet të fitojnë në javën e fundit ndaj Vllaznisë dhe njëkohësisht Egnatia të mos triumfojë përballë Dinamos, për të siguruar titullin kampion.
REZULTATI: Elbasani 3-0 Dinamo
Golat: Tsague 25’, 27’, Diallo 38’
RENDITJA:Egnatia 34 pikë, Elbasani 34, Vllazina 31 dhe Dinamo City 27