Elbasani voton pro bashkimit me Cërrikun e Belshin, tensione dhe përplasje në Këshillin Bashkiak

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar me shumicë votash propozimin për riorganizimin administrativo-territorial të qarkut, i cili parashikon bashkimin e Bashkisë Elbasan me ato të Cërrikut dhe Belshit.
Vendimmarrja u realizua me 26 vota pro dhe 2 kundër nga anëtarët që morën pjesë në votim, pas dëgjesave publike ku nga 589 qytetarë pjesëmarrës, 516 prej tyre u shprehën pro këtij varianti.
Diskutimet gjatë mbledhjes nxorën në pah kundërshtimet e grupit të opozitës, të cilët mbrojtën idenë e ruajtjes së tri bashkive ekzistuese dhe propozuan krijimin e dy njësive të reja vendore, Bradashesh dhe Shpat, si një model për të garantuar decentralizimin dhe afërsinë e shërbimeve me qytetarët.Vëmendjen kryesore në sallë e mori reagimi i fortë i këshilltarit të mandatuar nga PSD, Erion Murataj, i cili mbajti një qëndrim prerë dhe kategorik kundër kësaj reforme territoriale.
“Pasi zhbëtë identitetin krahinor, sot PD dhe PS prodhuan shpopullim, varfëri, mjerim. Po i jepni kazmën e fundit me pseudoreformën të ardhmes së Shqipërisë dhe të ardhmes së shqiptarëve. Do ju dalë përpara një Avni Rustemi. Jam kategorikisht kundër kësaj reforme.”Kundërshtimi i Muratajt u shoqërua me tensione fizike direkte brenda sallës në çastet përpara procedurës së votimit, ku ai ndërhyri drejtpërdrejt te aparaturat elektronike duke fikur disa prej tyre. Më pas, ndërsa tetë këshilltarë të Partisë Demokratike dhe një e Partisë së Lirisë u larguan nga salla, mbledhja vijoi me votimin që i dha dritën jeshile propozimit institucional për riorganizimin e rajonit.