E Martë, 3 Nëntor 2026

Elda Laro merr drejtimin e Orkestrës Simfonike në Shkodër, Beci: U besoj profesionistëve

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Orkestra Simfonike e Shkodrës, do të ketë një drejtuese të re, që vjen nga skenat prestigjioze të Berlinit. Dirigjentja me famë botërore, Elda Laro ka marrë drejtimin e Orkestrës Simfonike dhe lajmi është konfirmuar nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.

Kryebashkiaku i Shkodrës shkroi në rrjetet sociale se zgjedh që t’u besojë profesionistëve dhe të flasë me “punë”.

“Siç e dini mirë tashmë, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, zgjedh t’u besoj profesionistëve e të “flas” me punë. Elda Laro është hyrja e re në ekipin që drejton asetet kulturore të Shkodrës, ndërsa Orkestra Simfonike e qytetit tonë ka shumë punë të bukura para. Të tjerat janë dokrra hini. Suksese artistëve”, thotë Beci.

Vetë dirigjentja, në një videomesazh ka shprehur kënaqësinë për këtë bashkëpunim, duke theksuar se eksperienca e saj në koncertin e tenorit të famshëm Ramë Lahaj në Shkodër i la mbresa të paharrueshme, duke e bërë të pamundur refuzimin e kësaj ftese.

“Së bashku po punojmë për të sjellë koncerte të nivelit më të lartë, duke ftuar artistë të mrekullueshëm që performojnë në skenat botërore. Objektivi ynë është ta kthejmë Shkodrën në vatër të rëndësishme kulturore”, tha Laro.

Elda Laro është një dirigjente shqiptare me një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Ajo nisi studimet në Shkodër dhe më pas, falë talentit të spikatur, u transferua në Tiranë. Në vitin 1989 fitoi bursë për të studiuar në Konservatorin “Giuseppe Verdi” të Torinos, duke u specializuar më tej në Paris dhe Salzburg.

Karriera e saj përfshin përvoja në teatro të famshëm si “La Scala” në Milano, “Theater Münster” në Gjermani dhe shumë të tjerë. Pas një eksperience të gjatë si pianiste dhe shoqëruese operistike, ajo u bë dirigjente, duke sfiduar stereotipet gjinore në këtë fushë. Aktualisht, ajo është dirigjente në Operën e Berlinit. /j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›