E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ellen DeGeneres: Fitorja e Donald Trump më detyroi të largohem nga SHBA-të

Komediania dhe moderatorja e njohur, Ellen DeGeneres, ka konfirmuar se një nga arsyet kryesore për vendimin e saj për t’u zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar ishte rizgjedhja e Presidentit Donald Trump. Ajo, bashkë me bashkëshorten, Portia de Rossi, vendosën të qëndrojnë në Britani pasi mësuan lajmin e fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Gjatë një takimi me publikun në qytetin anglez të Cheltenham, DeGeneres tregoi se ato kishin mbërritur në Britani një ditë para zgjedhjeve, me idenë se shtëpia e blerë atje do të shërbente si shtëpi me kohë të pjesshme.

“U zgjuam me shumë mesazhe nga miq të cilët po qanin dhe unë thashë, ‘Ai fitoi’ dhe ne vendosëm: ‘Do të qëndrojmë këtu,'” ka thënë ajo, sipas mediave britanike.

DeGeneres nuk i kurseu fjalët e mira për jetën në fshatin anglez, duke e përshkruar si “absolutisht të bukur”. “Është thjesht një mënyrë më e thjeshtë jetese. Gjithçka këtu është thjesht më mirë – mënyra si trajtohen kafshët, njerëzit janë të sjellshëm,” shtoi ajo.

Ajo adresoi gjithashtu fundin e emisionit të saj, “The Ellen DeGeneres Show”, i cili u mbyll në vitin 2022 pas akuzave për një kulturë toksike pune. “Pavarësisht gjithçkaje, çdo artikull që dilte ishte, ‘Ajo është e keqe’, dhe kjo më dëmtonte,” tha ajo. “E urrej këtë reputacion sepse e di kush jam dhe e di që jam një person empatik dhe i dhembshur.”

Gjatë takimit, DeGeneres, një aktiviste e njohur për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, deklaroi se ajo dhe Portia do të martoheshin sërish në Britani nëse SHBA-të do të tërhiqnin legalizimin e martesës së të njëjtit seks, duke theksuar se të qenit homoseksual në Hollywood është “ende një problem”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›