Emisioni ‘3D’ në RTSH, Sako: Kohës së Berishës, Metës dhe Ramës i ka ardhur fundi

Kohës së Berishës, Metës dhe Ramës, i ka ardhur fundi. Ky ishte këndvështrimi i analistit Pano Sako në emisionin ‘3D’ në RTSH, në lidhje me zhvillimet politike në vend.
Sipas tij, këtë fund të tyrin ata e reflektojnë edhe në mënrën se si bëjnë politikë dhe se si sillen ndaj problemeve që kanë me drejtësinë.
“Ky është një moment i madh revolucionar i vërtetë, por jo nga ato revolucionet që përflitet që duhet të ishin bërë nga drejtësia, por një revolucion brenda opozitës që duhet ti bëj ballë këtij pushteti. Në thelb, halli i shqiptarëve dhe i joni është pushteti. Kjo sepse ai na pushton çdo ditë, përdor parat tona, keqpërdor paratë tona. Për ti dal përballë këtij pushteti duhet një opozitë e fortë. Por opozita sot është peng i të njëjtëve njerëz që kanë 30 vjet që vijnë vërdallë dhe thonë të njëjtat fjalë.”, tha Sako.
Sipas tij, koha politike e Berishës dhe Metës është duke ardhur drejt fundit, ose më saktë ka mbaruar, por problemi është vetëm finishi material i çështjes.
“Këto ndodhin mes qënieve që kanë mbaruar kohën e tyre politike dhe sa më shpejt të ‘vdesin’ politikisht, aq më shpejt do të çlirohet opozita shqiptare që është çelsi i ngërçit që kemi ne sot si shoqëri. Në këtë mënyrë do të kemi përballë pushtetin që kemi sot dhe po në të njëjtën mënyrë ky pushtet që është sot do të pësojë të njëjtën fat që ka opozita sot.”, tha Sako.
/rtsh.al/