E Diel, 1 Nëntor 2026

Ende i panjohur i tërë dëmi i shkaktuar nga BP

Por sipas ekspertëve, mund të ishte shumë më i madh

Sasia e naftës e derdhur në oqean gjatë këtyre tre muajve nga platforma e “British Petroleum”, është e barabartë me sasinë e naftës që shpenzojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 5 orë. Edhe pse mund të duket në fakt një sasi e vogël, ajo është shkatërrimtare për detin dhe njerëzit e tij, megjithatë mund të thuhet se amerikanët përsëri kanë qenë edhe në këtë rast me fat. Kur shefi i kompanisë britanike tha në një nga intervistat e tij të para pas tragjedisë se sasia e naftës në det është proporcionalisht e vogël krahasuar me sasinë e ujit, ai u sulmua ashpër nga Presidenti amerikan, Obama, dhe shtypi amerikan, megjithatë teknikisht ai kishte të drejtë. Në 85 ditët e rrjedhjes së naftës në oqean, që përbëjnë në mënyrë të padiskutueshme rrjedhjen më të madhe të naftës në të gjithë historinë botërore deri më tani, në Gjirin e Meksikës u derdh një sasi jashtëzakonisht e madhe. Gjiri i Meksikës është për nga madhësia i nënti në botë për sasinë më të madhe të ujit. Sigurisht që bëhet fjalë për një sasi të paprecedentë nafte, por është sasia që në fakt amerikanët konsumojnë në një kohë prej 5 orësh dhe 10 minutash.

Tani që duket se që prej dy ditësh rrjedhja e naftës ka pushuar, Amerika, duke e konsideruar veten me shumë fat që gjërat morën fund, duhet që të merret me sasinë e dëmit. Nëse do të hidhnim vështrimin në raste të ngjashme katastrofash të tilla, dëmet e shkaktuara prej tyre janë shumë më të mëdha dhe kjo për një sërë kushtesh që në rastin e Gjirit të Meksikës kanë qenë lehtësuese. Në rastin e tragjedisë së dytë më të madhe në botë, Exxon Valdez në Alaskë në vitin 1989 u kërcënua shumë i gjithë ekosistemi dhe dëmi që i shkaktoi derdhja kryesisht botës së kafshëve dhe shpendëve ishte shumë i madh. Por kjo kryesisht ndodhi për shkak të temperaturave të ulëta, që në rastin e naftës e favorizojnë shtrirjen dhe shpërndarjen e saj. Autoritetet amerikane i janë vënë punës për të identifikuar deri në hollësi të gjitha llojet e dëmeve të shkaktuara nga tragjedia, disa prej të cilave mendohet që të jenë definitive, ose të paktën ndreqja dhe krijimi i situatës normale mund të dojë shekuj për t’u krijuar. Dëmi i shkaktuar nga 3 muajt e rrjedhjes është bërë edhe më shumë serioz, për shkak se ai është shkaktuar në një tokë ku situata ishte ndërkohë e degraduar nga dëmet e shkaktuara gjatë viteve nga dora e njeriut. Kjo, për arsye të ndotjeve të detit nga derdhje të ndryshme të mbeturinave që kishin krijuar situata kritike në shumë pika të Gjirit të Meksikës. Dhe pikërisht ndërsa situata ishte kritike në vetvete, erdhi edhe nafta që u vuri kapak gjërave. Ndërkaq, shefat e kompanisë, e cila shkaktoi këtë tragjedi, do të dalin së shpejti sërish para një komisioni të Kongresit Amerikan, pas daljes që bënë rreth një muaj më parë në lidhje me rrjedhjen e naftës. Këtë herë ata do të merren në pyetje në lidhje me rolin e kompanisë në lënien të lirë të njeriut që shkaktoi tragjedinë e avionit që ra mbi Skoci 20 vjet më parë. Shefi ekzekutiv i kompanisë, Tony Haywards, është vënë me shpatulla pas murit nga disa senatorë amerikanë në rastin e dëmit të Gjirit të Meksikës dhe madje prej këtij dëmi të shkaktuar dhe mënyrës sesi ai e menaxhoi situatën disa e kanë cilësuar si “menaxheri më i paaftë në historinë e kompanive të mëdha”. Kompania britanike është sulmuar shumë ashpër nga politikanët amerikanë dhe nga vetë Presidenti i vendit, Barak Obama, të cilët kanë përdorur shumë edhe një retorikë antibritanike për të njollosur firmën. Por aktualisht politikanët amerikanë janë duke u përpjekur që të sulmojnë BP për një tjetër çështje dhe kjo pasi vetë grupi pranoi faktin se kompania kishte bërë lobing në qeverinë britanike për të liruar të dënuarin libian që shkaktoi tragjedinë e Lokerbit. Nuk dihet se kur do të zhvillohet seanca e marrjes në pyetje, por ka shumë mundësi që ajo të rezultojë sërish fyese për liderët dhe vetë kompaninë nën akuzë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›