Ende në luftë me inflacionin, Sejko: Në 2024 pritet të ketë një tjetër rritje të normës së interesit

Ndonëse inflacioni ka shfaqur tendenca rënëse, sërish lufta me armikun kryesor të xhepave të shqiptarëve nuk konsiderohet e fituar.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në takimin me bankat e nivelit të dytë në vend sinjalizoi se në vitin që vjen do të ketë serish rishikim të politikës monetare, çka do të thotë rritje të mëtejshme të normës së interesit për lekun e cila aktualisht në nivelin e 3.25%.
“Niveli ende i lartë i inflacionit mund të kërkojë reagime të mëtejshme të politikës monetare. Nëse do të jetë i nevojshëm, ky reagim duhet të kuptohet drejt nga ju dhe nuk duhet të përbëjë surprizë në aktivitetin tuaj. Kreditë me probleme duhet të mbeten një sinjal i rëndësishëm paralajmërues për të gjitha bankat. Banka e Shqipërisë paralajmëroi vitin e kaluar se rritja e kostos së kredive mbart rrezikun e rritjes së kredive me probleme, për sa kohë që aftësia paguese e kredimarrësve nuk është rritur në mënyrë proporcionale me rritjen e çmimeve”, është shprehur Sejko
Kreu i bankës ka tërhequr vëmendjen e sistemit bankar edhe për një tjetër rrezik të mundshëm, që mund të vijë nga tregu i pasurive të patundshme.
“Duhet konsideruar edhe rreziku që mund të vijë nga ekspozimi ndaj pasurive të patundshme, qoftë nëpërmjet financimit direkt apo akumulimit të lartë të kolateraleve nga kjo kategori. Banka e Shqipërisë, për të siguruar krijimin e rezervave të duhura për mbulimin e këtij rreziku, ka prezantuar ndryshimet rregullative që kërkojnë mbajtjen e një sasie kapitali më të lartë për financimin spekulativ të pasurive të paluajtshme, të cilat kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij viti”, tha Sejko.
Një tjetër kërkesë e Bankës Qendrore ishte edhe për vëmendjen e shtuar që duhet të kenë bankat ndaj sigurisë kibernetike. Ai sugjeroi më shumë investime në këtë fushë që janë në sinkron me zhvillimet e kohës./vizionplus,tv