E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende probleme ne aksin jugor

Vazhdon të jetë emergjente situata në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, për shkak të rrëshqitjeve të masiveve të dheut të verifikuara pasditen e së premtes.

Nga informacionet e fundit mësohet se të dyja anët e rrugës janë të bllokuara dhe qindra automjete janë në pritje për të lëvizur.

Burime pranë policisë rrugore bëjnë të ditur se uniformat blu kanë pezulluar qarkullimin në një pjesë prej 10 kilometrash të aksit për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet.

Qindra udhëtarë e kanë kaluar natën të bllokuar në makinat e tyre. Burimet shtojnë se aktualisht po punojnë disa fadroma për hapjen e rrugës.

Rrëshqitja e masivit ndodhi rreth orës 16.00, ndërsa fatmirësisht segmenti nuk po përshkohej nga ndonjë mjet. Mali prej dheu me lartësi rreth 10 metra bllokoi menjëherë të dy senset e kalimit.

Policia njoftoi menjëherë devijim e kalimit të mjeteve që po udhëtonin drejt Tiranës prej rrugës bregdetare, e cila rezulton e hapur dhe pa probleme.

Po ditën e premte, rreshje intensive dëbore mbuluan Qafë-Krrabën, duke vështirësuar kalimin në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan.

Policia informoi se kalimi ishte ende i mundur, por drejtuesit e automjeteve u këshilluan të përdorin zinxhira ose të devijonin rrugën nëpërmjet aksit Tiranë-Durrës-Peqin-Elbasan e anasjelltas.

Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve njoftoi se mban në gatishmëri mjetet borëpastruese, ndërsa dërgoi punonjësit e saj për të hedhur skorje e kripë për mbajtjen e rrugës të hapur.

Ndërkohë edhe rruga nacionale Elbasan-Gramsh është bllokuar për shkak të prurjeve të shumta të lumit Devoll, njoftojnë autoritetet lokale.

Në dy anët e rrugës ka automjete që nuk mund të lëvizin për shkak të ujit. Sipas policisë, aksi mund të normalizohet vetëm pas rënies së nivelit të ujit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›