Endrit Thaçi mbërrin në Kosovë pas vendimit të Hagës: Shpresojmë te Apeli, besojmë se do të kthehen të pafajshëm

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është kthyer mbrëmjen e së mërkurës në Kosovë, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Duke folur për mediat, Endrit Thaçi e cilësoi Dhomën e Specializuar si “gjykatë kriminale” dhe tha se pret që vendimi të ndryshojë në shkallën e Apelit.
“Gjykatë kriminale, por besojmë do të kthehen të pafajshëm pas Apelit”, tha ai.
Ndërkohë, mbrëmjen e së mërkurës (16 shtator), qytetarë të shumtë u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Protestuesit e konsideruan vendimin të padrejtë dhe bënë thirrje për vazhdimin e protestave, duke deklaruar se nuk do të heshtin ndaj vendimit të gjykatës.
Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan katër ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për disa krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit dhe për disa akuza e incidente të tjera. Në aktgjykim u theksua se përgjegjësia penale e secilit prej tyre është individuale, ndërsa gjykata konstatoi se katër të akuzuarit kishin vepruar së bashku në kuadër të një qëllimi të përbashkët.
/rtsh.al/