Energjia elektrike, Drenova: Shqipëria, urë lidhëse mes prodhuesve dhe konsumatorëve të mëdhenj

Shqipëria po zbaton plane afatgjata në drejtim të rritjes së kapaciteteve të transmetimit të energjisë elektrike.
Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Skerdi Drenova, deklaroi në panairin e Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër se vendi po ndjek një plan zhvillimi të gjatë, i cili shikon deri në vitin 2050.
“Ne kemi një interkonektor midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, për të cilin kanë filluar punimet dhe parashikohet të përfundojë brenda 18 mujash. Po shikojmë dhe linjën tjetër që na lidh me Greqinë, e cila do të dyfishojë kapacitetet energjetike midis dy vendeve tona”, theksoi Drenova.
Sipas Drenovës, vemendja po përendrohet në burimet alternative të energjisë. Ai tha se në 2030 parashikohet që Shqipëria të kemi mbi 320 megavat energji që do të vijnë nga era dhe të paktën mbi 600 megavat nga dielli. Deri në fund të 2023-shit, shtoi ai, janë të paktën 200 megavat, 150 nga Karavastaja dhe 50 nga të prodhues të vegjël të lidhur me OSHEE.
“Deri në 2030 presim të kemi mbi 1 Terra energji elektrike shtesë që do të injektohet në sisteme. Ndaj, ne po përmirësojmë linjat e brendshëm, por njëkohësisht Shqipëria synon të jetë edhe një lloj ure lidhëse midis konsumatorëve të mëdhenj, si Italia dhe prodhuesve, si Greqia apo Bullgaria dhe Rumania”, deklaroi kreu i OST-së.
Zoti Drenova vuri në dukje se duke nisur nga viti që vjen parashikohet që Shqipëria në disa orë të ditës të jetë eksportuese neto.
“Dhe ne po punojmë që të jemi të aftë që kjo energji që po vjen të shtyhet drejt Italisë. Po vazhdojmë të shtyjmë përpara diskutimet për ndërtimin e kabllit të energjisë me Italinë, që nisi dhe u la në mes dikur, por tani ka ardhur në principal. Me interes është edhe korridori drejt Shkodrës për të kapur kabullin nga Mali i Zi”, tha Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Skerdi Drenova.
/ rtsh.al /