Erdgys Arrazi u arrestua në Lezhë me 40 kg drogë në 2022, por drejtësia e favorizoi dhe u pushua akuza ndaj tij

Erdgys Arrazi, i cili dyshohet se detyroi gruan dhe tre fëmijët e tij të kryenin vetëvrasje, duke u hedhur në ujerat e Lumit Buna në Shkodër duhet të ishte në burg. Në muajin mars të vitit 2022 ai u arrestua nga Policia e Lezhës bashkë me dy persona të tjerë Izmir Dervishi dhe Durim Mehmetaj, pasi u kapën duke transportuar 40 kg lëndë narkotike përgjatë aksit rrugor Lezhë-Shkodër.
Policia kishte siguruar informacione në rrugë operative për veprimtarinë e dy personave, të cilët u prangosën në flagrance në një automjet me 40 kg drogë dhe ndaj tyre u ngrit akuza “Prodhimi dhe Shitja e Lëndëve Narkotike” e kryer në bashkëpunim.
Por çuditërisht pas disa muajsh hetime, prokuroria e Lezhës kërkoi pushimin e akuzës në ngarkim të Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmetaj dhe dërgimin në gjyq vetëm të Izmir Dervishit. Kjo kërkese u pranua dhe nga Gjykata e Lezhës, ku me firme të gjyqtarit Artan Hajredianj me datë 13.02.2023 Erdgys Arrazi fitoi lirinë, pavarësisht se u kap në flagrance bashkë me dy personat e tjerë duke transportuar lëndë narkotike.
Vendimi i caktimit të masës së sigurisë
Sipas vendimit të caktimit të masës së sigurisë provohet se më datën 21.3.2022 Prokuroria Lezhë ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të parashikuar të parashikuar në nenin 283/2 të Kodit Penal me të dyshuar të arrestuarit Izmir Dervishi, Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e të dhënave të referuara nga policia gjyqësore prej ku rezulton se kjo e fundit në rrugë operative është informuar se shtetasit Izmir Dervishi, Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj në bashkëpunim mes tyre po transportonin lëndë narkotike nga Shkodra në drejtim të Lezhës. Konkretisht, policia është informuar se lënda narkotike po transportohej me mjetin tip “Volsvagen” me targë AA571NM që drejtohej prej të arrestuarit Izmir Dervishi, ndërsa dy të arrestuarit e tjerë Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj po shoqëronin dhe siguronin të arrestuarin Izmir Dervishi duke udhëtuar menjëherë dhe pas mjetit të drejtuar prej këtij të fundit në një mjet tjetër tip “Seat Ibiza” me targë AA547FH.
Policia ka ndjekur lëvizjet e dy mjeteve nga Shkodra në drejtim të Lezhës, ka konstatuar se mjetet kanë lëvizur njëri pas tjetrit, prej të cilëve mjeti i drejtuar nga i arrestuari Izmir Dervishi qarkullonte i pari dhe pas tij mjeti në të cilin ndodheshin të arrestuarit Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj. Në orën 19:30 të datës së mësipërme mjeti i drejtuar nga i arrestuari Izmir Dervishi ka ndaluar në fshatin Dajç të rrethit Lezhë tek një karburant jashtë punë në anën e djathtë të rrugës sipas drejtimit për në Lezhë e njëkohësisht me të është ndaluar dhe mjeti në të cilin udhëtonin dy të arrestuarit Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj. Policia ka ndërhyrë, duke kontrolluar mjetet dhe në bagazhin e mjetit që drejtohej prej të arrestuarit Izmir Dervishi ka konstatuar 5 qese plasmani me material bimor të njëjtë me bimën canabis sativa, të cilat i ka sekuestruar dhe peshuar, prej ku ka rezultuar një peshë e përgjithshme prej 40 kg, ndërsa në mjetin në të cilin udhëtonin Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj nuk ka gjetur sende të kundërligjshme.
Lënda e dyshuar narkotike është dërguar për ekspertim, rezultati i të cilit nuk ka përfunduar, ndërsa ndaj shtetasve Izmir Dervishi, Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj ka vendosur arrestimin në flagrancë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të parashikuar në nenin 283/2 të Kodit Penal.
Për Gjykatën, mbi bazën e të dhënave të mësipërme ka arsye të bazuara për të dyshuar se është kryer vepra penale e parashikuar në nenin 283/2 të Kodit Penal dhe se të përfshirë në kryerjen e saj janë të arrestuarit Izmir Dervishi, Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj.
- Në mjetin e drejtuar nga i arrestuari Izmir Dervishi është gjetur material bimor i njëjtë me bimën cannabis sativa L në sasi që dukshëm rezulton se nuk është për përdorim personal, por për shitje;
- Mjeti i drejtuar nga i arrestuari Izmir Dervishi ka qarkulluar nga Shkodra në Lezhë i shoqëruar nga mjeti në të cilin udhëtonin Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj, e cila qartazi duket se nuk është e rastësishme referuar gjatësisë së rrugës të përshkruar;
- Mjeti në të cilin udhëtonin Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj ka ndaluar në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë ku ka ndaluar mjeti që drejtonte i arrestuari Izmir Dervishi, fakt i cili nuk është i rastësishëm por provon bashkëpunimin mes tyre;
- Ndërhyrja e policisë për kapjen e të arrestuarve dhe sekuestrimin e lëndës narkotike nuk ka qenë e rastësishme, por është rrjedhojë e ndjekjes dhe gjurmimit policor;
Për Gjykatën, faktet e mësipërme lidhen mes tyre dhe krijojnë një dyshim të bazuar se të arrestuarit Izmir Dervishi, Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj kanë bashkëpunuar mes tyre për transportimin e lëndës narkotike me qëllimin e shitjes së saj, veprim i cili vjen ndesh me nenin 283/2 të Kodit Penal.
Më tej, Gjykata vlerëson se rrethanat e mësipërme hedhin poshtë pretendimet e të arrestuarve Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj për mos pjesmarrje të tyre në kryerje të veprës penale me arsyetimin se në mjetin e tyre nuk është gjetur lëndë narkotike. Të tre të arrestuarit janë gjurmuar nga policia duke udhëtuar së bashku nga Shkodra në drejtim të Lezhës, ndonëse në dy mjete të ndryshme, njëri pas tjetrit, janë ndaluar në të njëjtin vend ku dhe është gjetur lënda narkotike, rrethana të cilat ngrenë dyshime serioze dhe të bazuara ndaj secilit prej tyre për përfshirje në kryerje të veprës penale.
Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se arrestimi i shtetasve Izmir Dervishi, Erdgys Arrazi dhe Durim Mehmedaj nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të parashikuar në nenin 283/2 të Kodit Penal është i bazuar.
/rtsh.al/