E Enjte, 5 Nëntor 2026

Erdogan: Intensifikojmë investimet e ndërsjella dhe bashkëpunimin në disa sektorë

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan theksoi sot në Tiranë se “me konsultimet tona të sotme ne e thelluam më tej partneritetin tonë strategjik, të cilin e ndërtuam në vitin 2021 mbi këtë themel historik, njerëzor dhe kulturor”.

Në deklaratën e përbashkët pas takimit dypalësh dhe pas firmosjes së bashku me Kryeministrin Edi Rama të marrëveshjes për thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe tre marrëveshjeve të bashkëpunimit, Presidenti Erdogan u shpreh i nderuar që ndodhej në vendin mik e vëllazëror siç e cilësoi Shqipërinë.

Erdogan solli në vëmendje se vitin e kaluar u festua 100- vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.

“Marrëdhëniet tona miqësore me Shqipërinë të forcuara nga lidhjet historike dhe afërsia kulturore në fakt shtrihen prej një shekulli. Shkëmbyem pikëpamje të hollësishme mbi fushat e bashkëpunimit që përcaktuam në takimin tonë të parë të Këshillit në Ankara shkurtin e kaluar”, nënvizoi Erdogan.

Presidenti turk Erdogan u shpreh se “gjithashtu me deklaratën e përbashkët që nënshkruam theksuam vendosmërinë tonë për të zhvilluar dhe thelluar këshillin tonë në fusha të ndryshme”.

Presidenti Erdogan tha se konfirmoi vullnetin për të avancuar bashkëpunimin me tre marrëveshjet që sapo u nënshkruan në fushën e bujqësisë, arsimit të lartë dhe marrëdhëniet me publikun dhe komunikimin.

“Ne i shohim nismat tona në fushën e tregtisë dhe investimeve si hapa që do të rrisin mirëqënien e popujve tanë. Në këtë kuadër ne vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur vëllimin tregtar në 2 miliardë dollarë në fazën e parë kjo. Gjatë takimeve tona ne ramë dakord për të intensifikuar investimet tona të ndërsjella për të përfshirë sektorë novatorë që do të ofrojnë avantazhe në kushtet e sotme”, tha Erdogan.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›