E Hënë, 2 Nëntor 2026

Erdogan falënderon Trump për armëpushimin dhe paralajmëron monitorim të afërt të marrëveshjes

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, vlerësoi marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, duke falënderuar Trumpin dhe duke u zotuar se Turqia do të sigurojë zbatimin e saj të rreptë.

Erdogan, ka shprehur falënderimet e tij të veçanta për presidentin amerikan, Donald Trump, për “vullnetin politik të nevojshëm” që nxiti Izraelin drejt arritjes së armëpushimit në Gaza. Deklarata u bë përmes një postimi në X (ish-Twitter).

Presidenti turk tha të enjten se ishte i kënaqur me rezultatin e negociatave të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, të cilat rezultuan në një marrëveshje armëpushimi për Gazën.

Ai shtoi se Turqia do të monitorojë nga afër zbatimin e rreptë të marrëveshjes dhe do të vazhdojë të kontribuojë në këtë proces.

Ky reagim i Erdoganit vjen pas njoftimit të armëpushimit të Hamas-it dhe Izraelit, duke reflektuar rolin aktiv të Turqisë si ndërmjetës dhe garantues i procesit.

Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për “fazën e parë” të një plani paqeje për të ndaluar luftimet dhe për të liruar disa pengje dhe të burgosur të mbajtur në Gaza, duke sjellë shpresën më të mirë deri më tani për një fund përfundimtar të një konflikti të përgjakshëm dyvjeçar që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka destabilizuar pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe ka shkaktuar protesta në të gjithë botën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›