Erdogan në Tiranë/ Mediat turke, jehonë hapjes së xhamisë, spekulime mbi imamin

Mediat turke i kanë kushtuar rendësi ceremonisë së nesërme për hapjen e Xhamisë së Namazgjasë nga Presidenti Erdogan duke zbardhur detaje në lidhje me atë që pritet të ndodhë në kryeqytetin e Shqipërisë.
Duke publikuar foto të Xhamisë së Namazgjasë ku janë varur flamujtë shqiptar dhe turk, AHaber, një ndër mediat më pranë pushtetit në Turqi raporton se në krye të Xhamisë së Namazgjasë është emëruar një imam turk, i quajtur Enes Bastur.
Sipas AHaber, Bastur do të këndojë Ezanin e parë në këtë xhami duke bërë me dije se ai kishte fituar edhe konkursin e Ministrisë së Çështjeve Fetare në Turqi për këndim Kurani.
Ndërkohë, Gazeta Turkiye raporton se xhamia është ndërtuar me paratë e besimtarëve turq dhe themelet u hodhën në vitin 2015.
Xhamia ka një kapacitet prej 10 000 personash brenda dhe jashtë saj. Xhamia nuk do të jetë thjesht një institucion faljeje, por edhe një qendër kulturore si edhe do të ketë një muze të bashkëjetesës.
Ndryshe nga sa raportojnë mediat turke, në në njoftim të shpërndarë dje, Myftinia e Tiranës njoftoi se imam i Xhamisë do të jetë pikërisht Myftiu Gazment Teqja, gjë e cila pritet të qartësohet nesër. /vizionplus.tv