Erdogan viziton Gjermaninë në kohën kur dallimet për luftën Izrael-Hamas po zgjerohen

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë sot Gjermaninë ku pritet të ketë një takim kokë më kokë me kancelarin Olaf Scholz.
Një prej temave që pritet të diskutohet është lufta në Gaza , për të cilën dy liderët ndajnë qëndrime të ndryshme.
Gjermania është një aleat i vendosur i Tel Avivit dhe ka kundërshtuar thirrjet për një armëpushim.
Nga ana tjetër Erdogan ka mbajtur një qëndrim gjithnjë e më të ashpër kundër Izraelit , ndërsa së fundmi e ka cilësuar edhe si shtet terrorist.
I pyetur në fillim të kësaj jave për komentet e Erdogan, kancelari gjerman nuk iu drejtua liderit turk me emër, por tha se “akuzat që po bëhen kundër Izraelit janë absurde.”
Por pavarësisht kësaj dy liderët pritet të kenë edhe tema te tjera për të diskutuar.
Turqia shihet si një partner i vështirë, por thelbësor në Gjermani ,shteti në të cilin jetojnë më shumë se 3 milionë njerëz me prejardhje turke. Po ashtu Ankaraja ka një rol të rëndësishëm në frenimin e migracionit në BE.
Nga ana tjetër lideri turk do të ketë nevojë për mbështetjen e Kancelarit Olaf Scholz për blerjen e 40 avionëve luftarakë.
Kjo është vizita e parë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Gjermani që nga viti 2020.