Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj mbeten në kërkim, Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë për të akuzuarit e “AKSHI”-t

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurimit të vendosura më herët për të pandehurit në çështjen e AKSHI-t.
Sipas vendimit të Apelit të GJKKO-së, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi do të vijojnë të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për të pandehurit e tjerë në këtë proces gjyqësor mbeten në fuqi masat e mëparshme të vendosura nga shkalla e parë.
Gjykata ka vlerësuar se nuk ka ndryshime në rrethanat që do të justifikonin lehtësimin apo ndryshimin e masave të sigurisë, duke vendosur kështu vazhdimësinë e tyre deri në një vendimmarrje tjetër.
Në kërkim mbeten Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 4 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H: “- Ankim kundër vendimit nr. 125, datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktim mase sigurimi personal. – Ankim kundër vendimit nr. 131, datë 18.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personale shtrënguese për personat nën hetim M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H”, duke miratuar vendimin nr. 125, datë 15.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt znj. H.D, z. E.I., z. G.H, znj. M.K, z. A.P dhe z. R.Rr dhe vendimin nr. 131, datë 18.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.
LEXO EDHE: Dosja “AKSHI”/ Kush është anëtari i KPP, i dyshuar për lidhje me Ermal Beqirin?