Erion Veliaj nuk del nga qelia, Gjykata e Apelit të Posaçëm lë në fuqi masën “arrest me burg”

Apeli i Posaçëm la në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, që ndodhet nën hetim për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, duke marrë parasysh kështu kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Seanca ka nisur që ditën e martë, por me depozitimin e provave të reja nga prokuroria u kërkua shtyrja e saj e më pas gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi që shpalljen e vendimit ta bëjë këtë të enjte.
Veliaj kundërshtoi provat e reja që SPAK pretendon se janë siguruar përmes përgjimeve telefonike.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se ato që hetuesit i quajnë prova janë në fakt bisedat familjare të 1 muaji që ai ndodhet në qeli, por deklaratat e tij nuk u morën parasysh.
Ndërkohë masa nuk ndryshoi për 4 biznesmenët e tjerë të cilët ishin lënë në detyrim paraqitje. Për Elman Abule u vendos zbutja e masës nga arrest në burg, në arrest shtëpie.
I njëjti gjyqtar Engert Pëllumbi, po ashtu la të ngrira dy llogaritë bankarë të Ajola Xoxës për të cilat ajo i kishte kërkuar apelit heqjen e sekuestros .
Kjo e fundit, e dyshuar për tri vepra penale, nuk e ka ankimuar masën e detyrimit të paraqitjes, dy herë në muaj.
/vizionplus.tv