Erler: Situata një grackë e re, duhet konsensus politik
TIRANE- Nënkryetari i fraksionit socialdemokrat gjerman në Bundestag, si dhe president i shoqatës së Evropës Juglindore në Gjermani, Gernot Erler duke komentuar situatën politike në Shqipëri shprehet se duhet së paku një besim e konsensus minimal. “Para se të filloj të fajësoj dikë, jam shumë i trishtuar. Këto zgjedhje duhej të ishin një pikë kthese, e të çonin drejt stabilizimit, pas një krize të vazhdueshme pas zgjedhjeve të vitit 2009. Po rezultati doli shumë i ngushtë, vërtet shumë i ngushtë. Kjo çoi në një grackë të re, ku këshilla e mirë është flori dhe askush nuk e di vërtet se si të dilet nga kjo situatë. Bëhet fjalë për shumë pak vota. Por e dyshimtë është se si u gjetën votat në kutitë e gabuara. Nga ana tjetër gjendja ligjore këtu është e paqartë. Qytetarëve fillimisht iu tha se votat që janë në kutitë e gabuara janë të pavlefshme, tani ato u numëruan dhe kjo duhet sqaruar nga pikëpamja ligjore. Shpresoj që vendimi i Kolegjit Zgjedhor të sjellë më në fund qartësi për këtë çështje”, - deklaroi Erler për “Dojçe Vele”. Sipas tij një gjë e tillë ishte një situatë grackë. “Është e qartë që nuk ka asnjë mundësi tjetër përveç sqarimit ligjor të çështjes. Më pas mund të ketë përpjekje për të bërë edhe qartësimin politik të saj. Sido që të jetë vendimi, ai do të jetë i pakënaqshëm, pavarësisht nëse njëra palë do të jetë fituese apo humbëse”, - tha Erler.
(s.g/balkanWeb)
(s.g/balkanWeb)