E Martë, 3 Nëntor 2026

Escobar vizitë zyrtare në Kosovë, zhvillon takim me Albin Kurtin

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndodhet sot në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Zyrtari amerikan u prit në Kosovë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti me të cilin po mban  një takim në ndërtesën e Qeverisë.

Ka më shumë se një orë e gjysmë që ky takim ka nisur, e ku pjesë është edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Temat kryesore të takimit, siç ka paralajmëruar Gabriel Escobar janë dinari serb dhe kthimi në binarë i dialogut përmes implementimit të marrëveshjeve dhe obligimeve të marra nga palët.

Escobar po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë, për të diskutuar mbi çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan është takuar me presidenten Vjosa Osmani të mërkurën, ndërsa gjatë ditës së sotme ka vizituar Manastirin e Deçanit, një ditë pasi kryeministri i Kosovës kërkoi të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit.

Duke folur për atë se çka u diskutua në takim, Escobari e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë të Qeverisë kosovare për të urdhëruar Agjencinë Kadastrale që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses./vizionplus.tv/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›