Etiopi, rrëmbehen katër persona, dy prej të cilëve turistë
Zyrtarët në Etiopi kanë deklaruar se katër persona, përfshirë edhe dy turistë të huaj, janë rrëmbyer në një sulm në veri të vendit, nga i cili mbetën të vrarë edhe pesë evropianë të tjerë.
Kombësia e të huajve ende nuk është bërë e ditur.
Një zëdhënës i qeverisë, Bereket Simon tha se sulmi në rajonin Afar është bërë nga grupe terroriste të trajnuara dhe të armatosura nga qeveria e Eritresë.
Nga ana tjetër, Eritrea i ka mohuar këto akuza. Ky shtet e fitoi pavarësinë nga Etiopia në vitin 1993, por këto dy vende fqinje shumë shpejt u përfshinë në mosmarrëveshje kufitare.