Etrit Berisha bën heroin në Suedi, fiton Kupën me Hacken

Dy penallti të pritura dhe një e shënuar. Etrit Berisha shkëlqen në finalen e Kupës së Suedisë me skuadrën e tij Hacken në përballjen me Malmo. Në një sfidë që përfundoi në barazim 0-0, ku gjithçka u vendos nga gjuajtjet e 11-metërshave, portieri kuqezi priti dy të tilla, të parën dhe të tretën si dhe shënoi të katërtën për skuadrën e tij.
Hacken triumfoi me rezultatin 4-2 duke rrëmbyer për herë të katërt këtë trofe. Berisha, i cili përveç që realizoi një penallti dhe priti dy, bëri edhe një sërë pritjesh të rëndësishme gjatë ndeshjes, u shpall lojtari i ndeshjes.
“Ndihem shumë mirë. Të gjithë djemtë besuan në këtë edhe pse kishim shumë lojtarë të dëmtuar. Të gjithë ata që luajtën nga fillimi dhe të gjithë ata që hynë dhanë 100 për qind. Të rinjtë dolën shumë mirë edhe pse ishte një ndeshje e vështirë. Tani do të mund të luajmë në Evropë”.
“Nuk është hera e parë që pres penallti dhe shënoja nga penalltia. Bëmë një punë vërtet të mirë. Ne luajtëm kundër një prej skuadrave më të mira në Suedi dhe në arenën e tyre në shtëpi dhe e dinim se do të kishte shumë situata të vështira, por nuk u dorëzuam kurrë dhe luftuam shumë”, ka deklaruar portieri kuqezi pas ndeshjes.