E Diel, 1 Nëntor 2026

Euro bie, pavarësisht rezultatit të testit të stresit të bankave

Shumë investitorë e konsiderojnë testin “mjaft të butë” dhe “jo të besueshëm”

Monedha euro ka vazhduar edhe dje që të bjerë në fund të një jave të vështirë dhe pavarësisht rezultateve të testit të fundit të stresit, që duket se nuk ia kanë mbushur mendjen tregjeve financiare dhe investitorëve.

Monedha e përbashkët e 16 vendeve anëtare të BE-së ka pësuar rënie, jo vetëm ndaj monedhave të përmasave të saj, por edhe ndaj monedhave të tjera, si dollari australian dhe ai i Zelandës së Re. Përfundimet e testit treguan se vetëm shtatë banka nuk ishin në gjendje që në një skenar të keq të mund të mbijetonin dhe t’i përgjigjeshin siç duhet krizës. Shumë analistë të BE-së për financat shpresuan se rezultatet e testit do të përbënin një nxitje pozitive për investitorët dhe tregjet, pas problemeve të mëdha me rastin e Greqisë dhe raste të tjerë. Por duket se as testi nuk ka bërë gjë për sa i përket imazhit të monedhës dhe ajo vazhdon që të rrezatojë pasiguri. Pyetja që kanë ngritur tregjet në përfundim të testit të stresit është: a ka qenë ky test i mjaftueshëm sa për të vënë në provë aftësinë e bankave për të përballuar situatat e krizës? Me pak fjalë, ata kanë vënë në dyshim mënyrën e kryerjes së testit dhe si pasojë edhe rezultatet e tij. Në përfundim të testit, në të cilin morën pjesë 91 banka europiane, vetëm 7 dolën se nuk kishin mjaftueshëm mjetet për ta përballuar situatën e krizës dhe kjo bëri që autoritetet t’u kërkojnë këtyre bankave që të shtojnë fondin rezervë me një kapital prej 3.5 miliardë eurosh shtesë. Të gjitha qeveritë e vendeve të BE-së po përpiqen që t’i sigurojnë investitorët në lidhje me shëndetin e mirë financiar të institucioneve financiare, pas krizave të buxhetit të Greqisë dhe problematikës së disa vendeve të tjera të Eurozonës si Spanja dhe Portugalia. Përgjithësisht testi është konsideruar si një test të cilit i mungon kredibiliteti, por që nuk ka qenë mjaftueshëm i fortë për të nxjerrë në pah pikat e dobëta të bankave europiane dhe reagimin e tyre të mundshëm në raste krizash. Sipas disa analistëve, ajo që investitorët kuptojnë dhe do të vazhdojnë që të besojnë, është se rruga për bankat e Eurozonës është shumë e gjatë dhe e vështirë.

Këtë vit, monedha euro ka rënë në masën 8%, që është edhe përqindja më e lartë në krahasim me situatën më pozitive të monedhave të tjera, si dollari amerikan që ka fituar terren me 3% dhe jeni japonez që ka fituar gjithashtu terren me 10%. Megjithatë fjalën e fundit do ta thonë tregjet kur të çelen të hënën, por ndërkohë tashmë është paralajmëruar se “shëndeti” i bankave, si pasojë e testit të stresit, është i mirë, por kjo nuk duket se besohet nga investitorët. Që në daljen e parë të rezultateve është konsideruar si “tepër i butë”. Në këto rrethana, do të jenë investitorët ata që duhet tashmë të hamendësojnë, apo të përdorin burimet e tyre në lidhje me gjendjen e bankave të caktuara në vendet e Bashkimit Europian e veçanërisht në atë të Eurozonës. Një nga elementët e dyshimit ishte numri shumë i vogël i bankave që rezultuan “të pafuqishme” për të përballuar një situatë krize. Një nga qëllimet kryesore të kryerjes së testit ishte çelja e tregjeve financiare për bankat pas mbylljes së shkaktuar nga trazira e muajve të fundit. Problemi i madh është grumbullimi i kapitalit, që gjatë muajve të krizës rreshti dhe iu largua bankave problematike.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›