E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët pesimistë: 8 Maji nuk afroi integrimin

Komiteti për çështjet e Jashtme mori në shqyrtim procesin elektoral të 8 Majit dhe problemet e ndeshura në ditët e numërimit të votave

Komiteti për çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian konstatoi dje se zgjedhjet e 8 Majit nuk janë shfrytëzuar nga Shqipëria për të shënuar një hap përpara në rrugën e saj drejt integrimit europian. Kreu i delegacionit europarlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan, tha se “kam frike dhe jam i shqetësuar se këto zgjedhje nuk do e ndihmojnë Shqipërinë që të kapërcejë ngërçin politik”. Duke thënë se e pranon që një deklaratë e tillë ngjan pesimiste, Kukan shtoi se skenari më i keq do të ishte vazhdimi i bllokimit politik. “Do të isha burri më i lumtur në botë, nëse historia do të tregonte se unë do të mendoja gabim, sepse i dua më të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Kukan. Delegacioni i posaçëm vëzhgues për 8 Majin raportoi në Komitetin e Jashtëm për ditën e zgjedhjeve, problematikën e rezultatit paraprak dhe atij përfundimtar të KQZ-së mbi kryetarin e Bashkisë së Tiranës etj. “Vota familjare ndryshe nga ç’na u tha ishte praktikë që ekzistonte. Për ata që nuk e kuptojnë, shefi i familjes merr 3-4 karta identiteti e voton. Tjetra, përdorej celulari, megjithëse thuhej se ishte e ndaluar në hyrje të qendrës së votimit. Por lehtësisht njerëzit flisnin e fotografonin votën e vetme të tyre, ku lejohej veç një kryq për partine e zgjedhur. Pra, pasi vendosej kryqi, bëhej foto me celular, që më pas i tregohej ndonjë anëtari të qendrës së votimit ose punëdhënësit se për kë kishin votuar”, u shpreh eurodeputeti Mihail Tremopoulos, nga të gjelbrit europianë. Në të parën qendër votimi që vizituam, shtoi ai, vumë re se njerëzit iknin pa shenjën e bojës në gishtin e tyre. “E provova me zotin Kukan këtë bojë. Më mori 10 minuta për ta hequr nga gishti im lehtësisht”, insistoi Tremopoulos. Në fjalën e tij eurodeputeti Victor Bostunaru tha se “herën e kaluar, kur socialistët kërkonin hapjen e kutive të votimit, zoti Berisha na tha se ishte e pamundur, sepse ishte Kushtetuta që e ndalonte hapjen e çfarëdolloj kutie dhe ne e pranuam. Rroftë Kushtetuta. Duhet ta pranojmë atë si pjesën themeltare ligjore të një vendi. Por tani nuk duket se është ky rasti”. Duke iu referuar procesit në KQZ për Tiranën, Bostinaru tha se procedurat janë tërësisht paprecedent. “Pse? Sepse vetëm në një qendër votimi janë gjetur më shumë se 200 fletë votimi që kapërcejnë numrin e votuesve. Si ndodh kjo? Çfarë lloj mrekullie ndodhi në Tiranë?”, u shpreh Bostinaru. Zëvendës presidenti i Partive Popullore Europiane, Ioannis Kasoulides, vlerësoi se “djalli gjendet në detaje”. Pyes se si ka mundësi, tha ai, që fletët e votimit kishin të njëjtën ngjyrë, e që as nuk u konsultuan mbi këtë. “Unë nuk mendoj se i shërbejmë ndonjë qëllimi nëse bëhemi gjyqtarë në favor të njërës palë apo tjetrës. Po bëmë këtë, atëherë do i hedhim benzinë zjarrit. Diskutimet pse tani kështu e pse atëherë ashtu, për hapjen e kutive të votimit, duhet t’i lëmë mënjanë për autoritetet e duhura të drejtësisë. E shpresoj shumë që të paktën sistemi gjyqësor, të paktën, funksionon në Shqipëri. Të paktën. Përndryshe, përse të flasim ne për kandidaturën në Bashkimin Europian”, insistoi Kasoulides. Në analizën e Eduard Kukan-it pjesa ligjore e bërthamës elektorale përfundimisht ngre disa pikëpyetje, por kjo i duhet lënë ekspertëve dhe institucioneve përkatëse. “Por, stabiliteti apo destabiliteti i vendit do të jetë në duart e partive politike dhe udhëheqësve të tyre. Në këtë situatë ne, Parlamenti Europian, ndihmojmë veç nëse flasim njëzëri dhe ky zë duhet të jetë i koordinuar me Komisionin e Këshillin e BE-së, duke patur parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve”, këmbënguli Kukan. Raportuesi Chountis tha se ka pasur e ka rrezik në pjesë të tjera të procesit çfarë nuk na mundëson që të kemi një rezultat përfundimtar të besueshëm. Raportuesi për Shqipërinë në PE, eurodeputeti grek Nicolaos Chountis, vlerësoi se zgjedhjet nuk e holluan aspak krizën politike, por i hodhën benzinë zjarrit. “E ardhmja nuk duket rozë. Ka dhe një krize ekonomike. Shqipëria po paguan e do paguajë kostot e krizës ekonomike brenda vendit e të fqinjëve të saj dhe duke i shtuar krizës politike dhe atë ekonomike, gjykoj se kombinimi do të jetë shpërthyes”, konstatoi Chountis. Eurodeputeti Victor Bostinaru vlerësoi se “vazhdimi i mbështetjes së pakushtëzuar ndaj njërës palë, do të bënte të inkurajohej pala tjetër që të përshkallëzonte edhe më shumë, e të kishim më pas dhunë, për të mos thënë luftë civile”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›