Eurodeputetja greke Vula Tsetsi në protestën para Kryeministrisë: Nuk ka integrim në BE nëse Shqipëria shitet

Protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë në Tiranë i është bashkuar edhe eurodeputetja greke Vula Tsetsi, e cila shprehu mbështetjen e saj për qytetarët protestues dhe adresoi kritika ndaj mënyrës së qeverisjes në Shqipëri.
Në fjalën e saj, Tsetsi deklaroi se protesta e qytetarëve tashmë është bërë e njohur jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe më gjerë, duke përgëzuar pjesëmarrësit për qëndresën e tyre.
“Sot keni 30 ditë protestë dhe ajo që po ndodh falë jush njihet jo vetëm në BE, por edhe më gjerë. Urime! Çdo gjë që kërkoni është falë jush, sepse nuk mbroni vetëm natyrën tuaj. Shqipëria nuk është në shitje”, u shpreh eurodeputetja.
Sipas saj, protestuesit po mbrojnë jo vetëm mjedisin, por edhe të drejtat, dinjitetin dhe të ardhmen europiane të vendit.
“Nuk ka zgjerim të Bashkimit Europian me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. Ju po mbroni të drejtat tuaja, shtetin tuaj dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, deklaroi Tsetsi.
Eurodeputetja greke u bëri thirrje institucioneve europiane që të ushtrojnë presion ndaj qeverisë shqiptare.
“Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë. Gjithashtu duhet t’u bëjmë apel miqve tanë socialdemokratë, sepse Rama është pjesë e familjes socialdemokrate. Ata duhet të zgjohen dhe t’ju mbrojnë”, tha ajo.
Në fund të fjalës së saj, Tsetsi inkurajoi protestuesit të vijojnë mobilizimin.
“Mos u dorëzoni. Çdo ditë është një ditë fitoreje, jo vetëm për demokracinë, por edhe për ju dhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian”, përfundoi eurodeputetja.
Protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 30-të, ndërsa organizatorët vijojnë të kërkojnë ndalimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.