Euroliga në RTSH: Panathinaikos dominon ndaj Partizanit të Beogradit

Euroliga ka nisur javën e 13-të me një fitore spektakolare të Panathinaikos në Athinë ndaj Partizanit të Beogradit me rezultatin 91-69. Ndeshja nisi me Partizanin në formë shumë të mirë në sulm duke shënuar pothuajse çdo tentativë teksa në gjuajte për 2 pikë arriti saktësia në 78%.
Perioda e parë u mbyll me avantazhin e miqve që shënuan madje 31 pikë, ndërsa Panathinaikos që e nisi me një skuadër disi shtatshkurtër dhe vetëm ofensive vuajti jo pak. Gjithçka u korigjua më pas nga Ataman duke ulur Shorts e duke aktivizuar Grant.
Në periodën e dytë vjen përmbysja dhe pjesa e parë mbyllet 48-44. Nis të ndjehet vështirësia e Partizanit në shënim. Në periodën e tretë, Panathinaikos shpërthen me Kendrick Nun që shënon disa kosha rresht, me Sluka që bën një organizim perfekt, me Grant që mbron me shumë efikasitet dhe Faried që tashmë ka një impakt të madh.
Diferenca shkon në 20 pikë, 70-50 për Panathinaikos dhe për Partizanin nuk ka më shpresë që e mbyll 10 minutëshin e tretë me vetëm 6 pikë. Perioda e katërt është thjesht formale dhe diferenca më e madhe arrin në 28 pikë mes dy skuadrave.
Në fund ka minuta edhe për lojtarët e rinj. Panathinaikos me këtë fitore ngjitet në vend të dytë, ndërsa Partizani i Beogradit qëndron tashmë në vend të 17-të, në një krizë që mund të prekë edhe trajnerin Obradovic, i cili duket i lëkundur në javët e fundit.