E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa – destinacioni Final për Shqipërinë dhe shqiptarët

10-05-2012 / Nga Gerti Bogdani*

22 vjet më parë, ajo që qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë kanë ëndërruar dhe dëshiruar në rrugët dhe sheshet e të gjithë Shqipërisë, ishte një Shqipëri si e gjithë Evropa. Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, madje shpesh me pengesa, herë të vendosura nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe herë të krijuara nga vetë ne. Herë me arsye dhe herë pa arsye. Herë për çështje reformash e përmbushje standardesh dhe shpesh herë për çështje personale dhe përmbushjes të interesave të ngushta politike. Sepse edhe atëherë kur hapi i radhës për në Bashkimin Evropian dukej të ishte afër, bojkoti pa sens dhe protesta pa logjikë e plot dhunë të opozitës, e larguan edhe një herë marrjen e statusit kandidat; e jo pak, por për dy vite me radhë. E ky muaj i radhës i Evropës na gjen përsëri në pritje. Sepse, përveç kushteve dhe standardeve që kanë plotësuar vendet e tjera që janë tashmë anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat Shqipëria këto 22 vite dhe veçanërisht këto vite të fundit po i plotëson, u shtuan edhe 12 rekomandimet, e mbase kushte të tjera të pa-artikuluara e të pashkruara. E kjo, e qartë për çdo qytetar shqiptar, ndodh për një arsye të vetme. Për kapriçot politike dhe interesat personale të një pseudo-rilindësi shqiptar. Mbase kjo pjesë e klasës politike Shqiptare nuk e ka kuptuar ende pse festohet Maji si muaji i Evropës dhe 9 Maji si dita e saj. Mbase nuk e ka kuptuar çfarë e shtyu Robert Schummanin, Konrad Adenauerin, apo de Gasperin e të tjerë, 62 vite më parë. Nuk e kanë kuptuar se cili ishte vizioni i tyre dhe rëndësia e një Bashkimi Europian. Sot, falë atij vizioni dhe qëndrimi të guximshëm për kohën, jetojmë në një kohë të rëndësishëm paqeje dhe vlerash në Evropë. Që pavarësisht vështirësive të momenti dhe sfidave që po kalon, mbetet projekti më i mirë dhe zgjedhja më e mirë për çdo qytetar evropian dhe për çdo qytetar shqiptar. Po ne ku jemi? Në këtë 62 vjetor të Europës së Bashkuar dhe në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, ku ndodhemi? Mbase duke marrë leksione se si bashkëpunohet e si duhet bërë dialog; mbase duke marrë vërejtje e kritika për bojkote dhe protesta, që nuk janë më pjesë e fjalorit të demokracisë evropiane e perëndimore prej vitesh; apo mbase duke mësuar nga të huajt që interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve duhet të jenë mbi interesat personale apo politike. Kjo, besoj është edhe arsyeja që ende sot jemi në pritje të statusit të vendit kandidat. Muaji Evropës 2012 Por sot, ajo që është mesazhi më i mirë për të gjithë ndërkombëtarët, e më shumë për të gjithë ato që janë skeptikë për punën dhe të ardhmen tonë, është shpirti i shpresës dhe optimizmit që demonstrojnë qytetarët shqiptarë, e më shumë se të gjithë, të rinjtë shqiptarë. Të cilët sot edhe pse Shqipëria nuk është ende në Europe, kanë treguar që janë qytetarë evropianë; të cilët sot ecin të lirë në hapësirën “Schengen”, ecin me shpirtin e shpresës drejt Evropës, sepse ky është destinacioni ynë final dhe që ne si qytetarë e si mazhorancë e kemi treguar që jemi të vendosur në rrugën drejt tij.


*Autori është Kryetar i FRPD-së dhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›