E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa League, Egnatia luan për historinë, nesër përballja vendimtare me Lillestrøm

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Egnatia është gati për ndeshjen e kthimit të play-off-it të UEFA Europa League ndaj Lillestrøm, një përballje që do të përcaktojë fatin e kampionëve të Shqipërisë në këtë kompeticion.

Pas barazimit 0-0 në “Arena Egnatia”, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede udhëton drejt Norvegjisë me gjithçka ende të hapur. Rrogozhinasit zhvilluan një ndeshje të organizuar në takimin e parë, duke u mbrojtur mirë dhe duke krijuar disa raste të mira, por pa mundur të gjejnë golin.

Tashmë, Egnatia do të kërkojë të bëjë historinë në transfertë. Një fitore në Norvegji do t’i siguronte kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Europa League dhe do t’i jepte klubit shqiptar një tjetër arritje të rëndësishme në aventurën europiane

Sfida e kthimit Lillestrøm–Egnatia do të luhet nesër, më 27 gusht, në orën 19:00, në “Åråsen Stadion”, në Lillestrom. Pas rezultatit 0-0 të ndeshjes së parë, skuadra që do të triumfojë do të sigurojë kualifikimin.

Egnatia e ka tashmë të garantuar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të UEFA Conference League, por objektivi i radhës është më i madh: të vijojë rrugëtimin në UEFA Europa League dhe të shkruajë një tjetër kapitull historik për klubin dhe futbollin shqiptar.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›