Europa nën valën ekstreme të të nxehtit, Britania thyen rekorde, Franca aktivizon planin e emergjencës

Europa po përballet me një valë të fortë të nxehti, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë marrë masa të jashtëzakonshme për të përballuar temperaturat ekstreme.
Në Britani u regjistruan 35.2 gradë Celsius, temperatura më e lartë e këtij viti, ndërsa 2026 është shpallur viti me numrin më të madh të ditëve me vapë ekstreme në historinë e matjeve meteorologjike. Për herë të parë, vendi ka regjistruar temperatura mbi 35 gradë në tre muaj radhazi, duke thyer rekordet e mëparshme. Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat mbi 30 gradë do të vijojnë edhe gjatë fundjavës në disa zona.
Vapa ka shtuar shqetësimet edhe për mungesën e ujit, duke detyruar kompanitë e furnizimit të vendosin kufizime për miliona banorë në përdorimin e ujit për nevoja jo thelbësore. Ndërkohë, në Francë autoritetet kanë aktivizuar për herë të parë planin kombëtar të emergjencës për nxehtësinë ekstreme, i cili përdoret zakonisht në rastet e fatkeqësive natyrore.
Nëntë departamente janë vendosur në alarm të kuq, ndërsa dhjetëra të tjera mbeten në alarm portokalli për shkak të temperaturave shumë të larta. Situata është rënduar edhe nga zjarret, të cilat kanë përfshirë sipërfaqe dy herë më të mëdha se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo është vala e tretë e të nxehtit që godet Francën që nga muaji maj, ndërsa shkencëtarët e lidhin shtimin e fenomeneve të tilla me ndryshimet klimatike. Autoritetet në të dy vendet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, pasi temperaturat e larta pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
/rtsh.al/