E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eurosong 2025- Shkodra Elektronike e 12-ta në natën e parë

Shkodra Elektronike është pozicionuar në vendin e 12-të në gjysmëfinale në natën e parë të Eurovizion për të performuar këngën “Zjerm”.

Dyshja e këngëtarëve Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca do të ngjiten në skenën magjike të Shën Jakobshalle të Bazelit më 13 maj për të dhuruar një spektakël të vërtetë me këngën e tyre “Zjerm” që ka fituar jo vetëm zemrat e qytetarëve shqiptarë, por edhe më gjerë. Dy këngëtarët kanë pasur mundësi të njohin publikun me këngën e tyre me performancat në Berlin, Selanik, Marseille të Francës dhe Oslo, ndërsado vijojnë të dhurojnë spektakël edhe në Amsterdamin më 5 prill, me Manchesterin më 12 prill, më pas me Londrën më 13 prill dhe Madridin më 19 prill, për ta mbyllur me skenën e Eurovizion.

Vendi ynë, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar që të konkurrojë të martën e 13 majit, në gjysmën e dytë të natës së parë.

 “Shkodra Elektronike”, me këngën “Zjerm”, triumfuan në Festivalin e Këngës.

Përzgjedhja e radhës së interpretimit u bë në mënyrë rastësore përmes shortit. Nga pesë vazo të përgatitura nga EBU-ja për 31 shtetet pjesëmarrëse në gjysmëfinale, Shqipëria u listua në vazon e tretë.

Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruara si vendet “e mëdha”, janë kualifikuar automatikisht pa u dashur të garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovision, nuk garon në gjysmëfinale.

Finalja e madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›