Eurovision 2026/ Bullgaria triumfon me këngën ‘Bangaranga’, Izraeli i dyti. Shqipëria me ‘Nân’ renditet e 13-ta

Bullgaria me këngëtaren DARA mori trofeun e Eurovision per vitin 2026. Kengetarja DARA u perfaqesua me këngën “Bangaranga”, duke fituar me 516 pike dhe duke marre trofeun ne eurovizionin e 70.
Në vendin e dytë u rendit Izraeli, mes polemikave e fishkëllimave në momentin e shpalljes së rezultatit të televotimit. Rumania u rendit e treta me 296 pikë, Australia e katërta me 287 pikë, ndërsa Italia me Sal Da Vinci u pozicionua në vendin e pestë me 281 pikë. Britania e Madhe u rendit e fundit me vetëm një pikë. Mbrëmja u karakterizua nga një garë e ashpër dhe tepër e fortë mes Izraelit dhe Bullgarisë. Pas këtij triumfi, Eurovision 2027 do të mbahet në Bullgari.
Shqipëria që përfaqësua nga Alis Kallaci me këngën ‘Nan’, u rendit në vendin e 13 me 145 pikë, nga të cilat 85 pikë ishin mbështetja nga publiku dhe 60 nga juria. Shqipëria mori pikët maksimale (12) nga Portugalia dhe 10 pikë nga Mali i Zi. Në votat e saj, Shqipëria i dha 12 pikët maksimale Italisë dhe 10 pikë Norvegjisë.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis, i cili u ngjit i pesti në skenën e Vjenës me baladën “Nân”, dhuroi një interpretim të jashtëzakonshëm dhe thellësisht emocional. I shoqëruar nga mjeshtrja e skenës, aktorja e madhe Rajmonda Bulku, dyshja shqiptare krijoi një moment magjik, duke rrëmbyer zemrat e spektatorëve në arenë, si dhe të miliona shikuesve në Shqipëri, Evropë dhe më gjerë.Balada “Nân” nuk është thjesht një këngë; është një himn për dhimbjen e emigracionit dhe mallin e nënës që pret fëmijën, një mesazh që ka rezonuar çka bëri që edhe gjiganti mediatik britanik, BBC, ta theksojë si një perlë të këtij festivali.

Alis duke performuar në Eurovision
Finalja e edicionit të 70-të të Eurovisionit, në Vjene , u kthye në një maratonë flakësh dhe akrobacish. 25 shtete ishin në garë, ndërsa pritja për rezultatet ishte e gjatë. Artistët parakaluan me flamujt e tyre, ndërsa Australia, e përfaqësuar nga “Barbie” Delta Goodrem, kishte fansa të zjarrtë. Këngëtarja ukrainase Viktorija Leléka, në fund të performancës së saj, bërtiti: “Slava Ukraini!”, “Lavdi Ukrainës”, mes duartrokitjeve të publikut.
Sal Da Vinci me këngën “Per sempre sì” mbajti lart flamurin italian. “Bangaranga” e bullgares Dara jehoi kudo, ndërsa Antigoni, që beson se është Shakira, me këngën “Jalla” hipnotizoi publikun. Por edhe koreografia popullore e Sal Da Vincit, me nusen që zbulon poshtë fustanit flamurin trengjyrësh italian, elektrizoi sallën. “Da Vinci”, u njoftua gjatë spektaklit, se “do të jetë një nga ambasadorët e kandidaturës së këngës klasike napolitane për t’u shpallur pasuri e UNESCO-s”, në eventin e 5 qershorit në Arena di Verona.
Në arenën “Wiener Stadthalle”, rituali vazhdon: Monroe për Francën mahnit publikun, ndërsa Satoshi nga Moldavia bën të gjithë të kërcejnë. Por protestat kundër pranisë së Izraelit nuk ndalen. Helikopterët fluturonin mbi qytet teksa marshonte protesta pro Palestinës, me rreth tre mijë persona dhe polici të vendosur në çdo cep.
