Eurozona ul më tej interesin bazë
Draghi kundërshtohet nga Gjermania, e cila kërkon interesa më të larta për kursimet e veta
Banka Qendrore Europiane e uli më tej interesin bazë në Eurozonë, për shkak të vijimit të vështirësive ekonomike dhe inflacionit në rënie të shpejtë. Interesi i ri bazë, i cili shërben për kreditë që banka qendrore u jep bankave të nivelit të dytë apo për depozitat e fondeve të tepërta që bankat vendosin në BQE, do të jetë 0.5 për qind. Kjo është edhe norma më e ulët bazë e shënuar në historinë e BQE-së dhe synon të luftojë inflacionin e ulët dhe papunësinë e lartë e në rritje të mëtejshme.
Ulja e normës së interesit ishte gjerësisht e parashikuar, pasi presidenti i BQE-së, Mario Draghi, tha muajin e kaluar se banka e tij ishte e gatshme të ndërhynte. Të dhënat ekonomike të publikuara muajin e kaluar, treguan se koha për të vepruar kishte ardhur. Papunësia shënoi një rekord historik në prill, ndërsa inflacioni vjetor ra në vetëm 1.2 për qind.
BQE-ja po vepron, pavarësisht se e di se efekti ka gjasa të jetë i kufizuar, komentoi analisti i bankës, Nordea Anders Svendsen. Çelësi në treg është toni me të cilin ndërhyhet. N.q.s. BQE-ja shton se do të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, atëherë do të jetë me të vërtetë pozitive, por nëse mjaftohet vetëm me ulje, mendoj se do të ketë zhgënjim.
Euro u rrit bashkë me bondet dhjetëvjeçare gjermane pas vendimit. Rënia e shpejtë e inflacionit, nga 1.7 për qind që ishte në mars, shtoi presionin mbi BQE-në për të ulur interesin në përputhje me mandatin e saj për të garantuar stabilitetin e çmimeve. BQE-ja ka për objektiv ta mbajë inflacionin pranë nivelit 2 për qind.
Rënia e shpejtë e presionit nga çmimet ka shtuar gjithashtu spekulimin se BQE-ja do të lëvizë me mjete të tjera politike, përveç normave të interesit për të ndaluar rënie të mëtejshme të inflacionit.
Në fund ne mendojmë se BQE-ja do të dalë të blejë borxhet e sektorit privat, në mënyrë që të rregullojë mekanizmin e transmisionit, tha një tregtar bondesh. BQE-ja dëshiron të përmirësojë transmetimin e politikës së saj monetare, në mënyrë që interesat e ulëta të mbërrijnë në çdo cep të Eurozonës.
Jugu i Eurozonës nuk po përfiton në të njëjtën mënyrë si veriu nga normat e interesit shumë të ulëta. Bankat në jug ose nuk japin fare kredi ose i japin me interesa më të shtrenjta sesa bankat në veri.
Kompanitë e vogla, problem i madh
BQE-ja ka folur shpesh për shqetësimin se praktika e interesave të larta të kreditit për bizneset e vogla dhe të mesme në jug po vijon dhe se këto biznese nuk kanë alternativë tjetër përveç bankave për financim.
BQE-ja tha se po studion opsionet që ka për të zgjidhur problemin përmes një programi të dizajnuar për të dhënë kredi pikërisht për këtë kategori biznesi, i cili përbën edhe motorin e zhvillimit të çdo ekonomie, për shkak të konkurrueshmërisë së lartë në krahasim me botën e korporatave. Ndërkohë Draghi është përballur me kundërshti në planin për të ulur interesat. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha javën e kaluar, se BQE-ja ndoshta do të duhet të rrisë interesat në rast se sheh vetëm te Gjermania. Edhe bota e biznesit në Gjermani ka shprehur kundërshti, duke argumentuar se interesat tepër të ulëta kanë pak efekt, ndërsa ulin joshjen e njerëzve për të kursyer e dëmtojnë kursimet e popullatës në plakje të shpejtë të këtij vendi.
Eurozona ul më tej interesin bazë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email