E Diel, 1 Nëntor 2026

Evakuohen banorët e fshatit Tenë në Mirditë, dy helikopterë për shuarjen e zjarrit

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Situata e zjarreve në bashkinë Mirditë vijon të jetë e rënduar, me dy vatra të mëdha aktive në zonat e Tenës dhe Kodër-Rrëshenit. Sipas medieve, flakët po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga erërat e forta, temperaturat e larta dhe bimësia e dendur, duke rrezikuar edhe banesat.

Për shkak të situatës, pjesa më e madhe e fshatit Tenë është evakuuar. Forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencave civile janë angazhuar në terren, ndërsa fokusi kryesor është mbrojtja e banesave dhe e banorëve.

Operacioni për shuarjen e flakëve po zhvillohet edhe nga ajri, me ndërhyrjen e dy helikopterëve.

Kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, e ka cilësuar situatën si më të rrezikshmen e regjistruar në territorin e bashkisë. Sipas tij, deri tani nuk raportohet për dëme në banesa apo persona të lënduar.

“Në fakt sot është ndër situatat më të rrezikshme që mund të kemi pasur në bashkinë Mirditë. Zjarri u favorizua nga era. Kishim shumë familje që ishin në zona të shpërndara pyjore dhe vështirësia ishte për të ndërhyrë edhe për shkak të largësisë dhe për shumë shkaqe të tjera. Deri në këto momente nuk kemi dëme në banesa dhe në jetë njerëzish dhe kjo është kryesorja. Kemi larguar njerëz nga banesat.

Vijon të jetë realisht e vështirë situata, por me ndihmën edhe të mjeteve zjarrfikëse që kanë ardhur shtesë, me dy helikopterët që po hedhin ujë pranë banesave, shpresojmë që do të normalizohet situata, që të largojmë rrezikun nga jetët e njerëzve. Në dy lagje kemi evakuuar banorët dhe po mundohemi të mbrojmë banesat që të mos preken nga zjarri”, u shpreh ai.

Mëlyshi ngriti gjithashtu dyshime se zjarret mund të jenë shkaktuar qëllimisht dhe kërkoi ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese.

“Këtu duket se është një dorë që do t’i djegë pyjet. Policia duhet të marrë masa dhe ata që po djegin natyrën dhe po vënë në rrezik jetën e njerëzve duhet të përballen me ligjin”, tha ai.

Edhe at dom Gjergj Meta ka reaguar për situatën, duke e cilësuar atë si mjaft shqetësuese. Ai theksoi se era dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa ngriti edhe ai shqetësimin për mundësinë e zjarrvënies së qëllimshme.

“Situata është mjaft shqetësuese dhe era dhe nxehtësia e bëjnë zjarrin të përhapet. Më shqetësuese është që duket se është bërë nga dora e njeriut. Njerëzit po dëmtojnë pyjet, shtëpitë e tyre dhe jetën e njerëzve”, u shpreh at dom Gjergj Meta.

Ai bëri apel për banorët dhe qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›