Evazion fiskal, Apeli i Tiranës lë në fuqi arrestin për CEO-n kinez dhe ish-administratorin e “Bankers Petroleum”

Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Fierit për masën “arrest me burg” ndaj CEO-s së “Bankers Petroleum”, Hongping Xiao dhe ish-drejtorit të përgjithshëm, Leonidha Çobo. Të dy akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit dëme me vlerë miliona euro.
Për sa i përket masave të tjera të dhëna ndaj punonjësve të kompanisë, Apeli ka ndryshuar vetëm njërën prej tyre, duke e zbutur nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”, konkretisht për Doina Gogën.
Gjithashtu u konfirmuan masat “arrest shtëpie” për Lianyi Wang, Ardit Keron, Flavia Capon, Kledi Xhanin dhe tre në “detyrim paraqitje” për Majlinda Thanën, Matilda Ibraliun dhe Erton Ademajn.
Në total, Gjykata e Fierit ka lëshuar 14 masa sigurie, ku nga këto, 10 janë ekzekutuar, ndërsa 4 punonjës mbeten ende në kërkim.
Sipas Prokurorisë së Fierit, kompania ka krijuar skema për të fshehur të ardhurat reale, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit miliona euro dëme. Hetimet zbuluan se kompania realizoi eksporte dhe shitje në vlerën mbi 530 miliardë lekë përgjatë viteve 2004–2024, por shpenzimet dhe bilanci i humbjeve raportoheshin në mënyrë fiktive çdo vit për të shmangur pagimin e tatimfitimit, ndërsa përfitonte edhe nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave me individë dhe shoqëri të tjera kontraktuese brenda e jashtë Shqipërisë.
/rtsh.al/