E Diel, 1 Nëntor 2026

FBI: Kemi pamje të qarta të autorit që vrau Charlie Kirk! U largua mes turmës nga çatitë e shtëpive! Është identifikuar arma e krimit

Hetimet për vrasjen e aktivistit të njohur të djathtë dhe mbështetësit të Donald Trump, Charlie Kirk, po përparojnë me ritme të shpejta. Sipas deklaratës së fundit të zëdhënësit të FBI-së, autoritetet kanë në dispozicion një video të qartë të autorit dhe janë në dijeni të rrugës që ai ka ndjekur për të mbërritur në vendngjarje dhe për t’u larguar pas atentatit.

Autori, i cili besohet se është një i ri në moshë studentore, ka arritur të lëvizë nëpër çatitë e shtëpive për të arritur te pika e sulmit dhe më pas është larguar në këmbë përmes lagjes, duke u përzier me turmën dhe duke shfrytëzuar panikun e krijuar.

Zyrtari i lartë i Sigurisë Publike në shtetin e Utah, Bo Mason, ka deklaruar për mediat se i dyshuari është një mashkull dhe “është integruar mirë” në kampusin universitar, çka e ka bërë më të vështirë identifikimin e menjëhershëm të tij.

Ndërkohë, FBI ka bërë me dije se është gjetur arma që dyshohet se është përdorur në vrasje një pushkë, por po priten rezultatet e analizave nga laboratorët forensikë për konfirmimin e plotë.

Agjenti special përgjegjës i FBI-së në Salt Lake City, Robert Bowles, tha gjithashtu se përveç armës së dyshuar, hetuesit kanë mbledhur edhe gjurmë këpucësh, një gjurmë pëllëmbe dhe gjurmë nga pjesa e poshtme e krahut të autorit, të cilat janë dërguar për ekspertizë.

“Të gjitha informacionet që kemi marrë po hetohen në mënyrë të thelluar,” u shpreh Bowles. “Deri në mëngjesin e sotëm, kemi marrë mbi 130 raportime nga qytetarët.”

FBI ka nisur një operacion të gjerë kërkimi për të identifikuar dhe kapur autorin e vrasjes, ndërkohë që ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik amerikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›