E Diel, 1 Nëntor 2026

FILIPINE – ASEAN-i propozon rezervë të përbashkët karburantesh mes krizës në Hormuz

CEBU (Filipine), 8 maj /ATSH-AFP/ – Njëmbëdhjetë vendet e Azisë Juglindore po shqyrtojnë krijimin e një rezerve të përbashkët karburantesh për t’u përballur me krizën energjetike të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., pas samitit të vendeve anëtare të Association of Southeast Asian Nations në Cebu.

Liderët e ASEAN-it u mblodhën për të diskutuar mënyrat për të përballuar krizën energjetike të shkaktuar nga mbyllja de facto e Ngushticës së Hormuzit, pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit më 28 shkurt.

Blloku rajonal kërkoi gjithashtu rihapjen e kësaj rruge detare jetike për tregtinë globale.

ASEAN bëri thirrje për ratifikimin e shpejtë të një marrëveshjeje kuadër mbi sigurinë e naftës, e cila parashikon ndarjen e rezervave të karburanteve mes vendeve anëtare për të garantuar stabilitet energjetik në rajon.

“Po mobilizohemi për të promovuar dhe zhvilluar idenë e krijimit të një rezerve të përbashkët të të gjitha llojeve të karburanteve”, deklaroi Marcos në përfundim të samitit.

Sipas tij, disa vende kanë tepricë të një lloji karburanti, ndërsa të tjerat përballen me mungesa, ndaj synimi është balancimi i situatës.

Rreth 80 për qind e hidrokarbureve që kalojnë normalisht përmes Ngushticës së Hormuzit janë të destinuara për tregjet aziatike. Për pasojë, rajoni po përballet me rritje të forta të çmimeve të karburantit dhe ushqimeve, duke shtuar shqetësimet për ekonomitë lokale.

Vendet anëtare miratuan gjithashtu krijimin e një rrjeti elektrik rajonal të ASEAN-it, i cili do të lidhë rrjetet kombëtare për të mundësuar shkëmbimin e energjisë elektrike ndërkufitare. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›