E Diel, 1 Nëntor 2026

FILIPINE – Pesë të vdekur dhe 87 të zhdukur pas zjarrit në një traget

MANILA, 10 shtator /ATSH-DPA/- Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 87 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget pasagjerësh u përfshi nga zjarri, pranë brigjeve të provincës Palawan në Filipine, njoftuan sot autoritetet.

Zëdhënësja e Rojës Bregdetare të Filipineve, Noemie Cayabyab, tha se 42 persona të tjerë kishin arritur të shpëtoheshin.

Ajo theksoi se shifrat mund të ndryshojnë, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende.

Trageti “MV June Aster” po udhëtonte nga kryeqyteti i Manilas drejt qytetit turistik Coron dje në mbrëmje, kur papritur mori flakë rreth 2 kilometra larg bregut. Shkaku i zjarrit ende nuk dihet.

Sipas autoriteteve, në bord besohet se ndodheshin 134 persona, ndërsa “Agjencia Filipine e Lajmeve” raportoi se trageti kishte 117 pasagjerë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit.

Në operacionin e shpëtimit janë përfshirë Roja Bregdetare, shërbimet zjarrfikëse dhe anije të tjera, që ndodheshin në zonë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për shkakun e zjarrit dhe po verifikojnë nëse janë shkelur rregullat e sigurisë.

Ndër të tjera, po shqyrtohet nëse trageti kishte më shumë persona se kapaciteti i lejuar dhe nëse të gjithë pasagjerëve u ishin dhënë jelekë shpëtimi.

Coron, i vendosur në ishullin Busuanga, është një destinacion i njohur ndërkombëtar turistik, veçanërisht për plazhet, peizazhet me shkëmbinj gëlqerorë dhe zonat e zhytjes. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›