FMN: Faktorët që pengojnë rritjen ekonomike
Raporti i fundit: Investitorët në Shqipëri vuajnë mungesën e stimulit fiskal
ARD KOLA
Shqipëria përjetoi një rritje ekonomike të ngadaltë në vitin 2012, si rrjedhojë e disa faktorëve, që lidhen me vendet fqinje të zhytura në krizë, konsumin e dobët, etj. Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, prezantuar më 20 prill nga ministri italian i Ekonomisë dhe Financave, Vittorio Umberto Grilli, analizohet me shifra situata ekonomike ku ndodhet Shqipëria.
Sipas raportit të Grillit, në grupin e vendeve ku futet edhe Shqipëria, janë zhvilluar dhe priten të mbahen disa zgjedhje të përgjithshme. Rezultatet e tyre nuk sugjerojnë asnjë ndryshim të rëndësishëm në objektivat politike që synojnë kufizimin e disbalancave makroekonomike, thotë njoftimi. E thënë ndryshe, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri, nuk pritet ndonjë ndryshim lidhur me uljen e borxhit, apo përmirësimit të financave publike.
Prodhimi Kombëtar
Rritja ekonomike u ngadalësua gjatë vitit të kaluar në Shqipëri, si rrjedhojë e uljes së kërkesës, si të brendshme, ashtu dhe të jashtme. Në vitin 2012, PBB u rrit me 1.6 për qind, thotë FMN, kurse parashikimi për 2013-n është për një Prodhim të Brendshëm Bruto pozitiv me 2.2 për qind. Rritja u ndikua nga vlera më e lartë e shtuar nga shërbimet dhe sektori i bujqësisë, ndërkohë që ndërtimi dhe aktiviteti industrial patën ecuri të dobët. Kushtet e pafavorshme ekonomike dhe financiare të parterëve kryesorë tregtarë ndikuan negativisht tek eksportet dhe tek ambiciet e investitorëve të huaj, thotë raporti i FMN, hartuar nga ministri italian i Financave, që gjithsesi shton se, pavarësisht këtyre vështirësive, kërkesa e huaj dhe eksportet më të larta ishin faktorët kryesorë që ndikuan në rritjen ekonomike.
Në të njëjtën kohë, kërkesa e brendshme ka vuajtur nga pasiguritë më të mëdha, kushtet më të shtrënguara të financimit dhe mungesa e stimujve fiskalë. Si rrjedhojë, konsumi i brendshëm dhe investimet ndikuan pak në rritjen ekonomike gjatë vitit 2012.
Shifrat në 2012-n
Në tërësi, duke qenë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve, FMN është treguar e kujdesshme me komentet rreth ecurisë ekonomike të Shqipërisë. Ndryshe nga raportet e mëparshme, ku kritikat kanë qenë më të direkte, kësaj here, përfaqësues të FMN-së në Tiranë nuk kanë luajtur me zjarrin.
Pozicioni i dobët ciklik i ekonomisë, i kombinuar me inflacionin e ulët të importuar dhe pritshmëritë e qëndrueshme inflacioniste, u reflektuan në një inflacion mesatar prej rreth 2% gjatë vitit, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Politika fiskale në tërësi ishte e kujdesshme, teksa deficiti buxhetor u reduktua me 0.3 pikë përqindjeje të PBB-së, duke arritur në 3.4 për qind të PBB. Borxhi publik i kaloi 60 për qind të PBB-së në fund të vitit të kaluar, por autoritetet mbeten të angazhuara që të ruajnë financat publike në afatin e mesëm e të gjatë, thotë FMN. Si rrjedhojë e mungesës së presioneve inflacioniste, politika monetare ka qenë zgjeruese. Banka e Shqipërisë e uli tri herë normën bazë në 2012 dhe një herë në janar 2013, duke e çuar në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave prej 3.75 përqindësh. Pavarësisht uljes së investimeve në kredidhënie dhe letrave me vlerë të qeverisë, që u konstatua në gjysmën e parë të vitit, kushtet financiare në përgjithësi janë përmirësuar. Normat e interesit janë ulur dhe risku i primeve të likuiditetit është zvogëluar.
Kreditë e këqija
Sipas FMN-së, Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive me probleme, në raport me vendet e rajonit, me mbi 22 për qind. Pas vendit tonë vjen Serbia, kurse Turqia ka nivel të ulët të kredive me probleme. Sistemi bankar mbetet fitimprurës, pavarësisht rritjes së kostos së provigjionimit nga përkeqësimi i portofolit të huasë. Pavarësisht bilanceve të shëndetshme të bankave, rritja e kredisë mbetet e dobët, duke reflektuar pjesërisht kërkesën e dobët për hua dhe një sjellje më të kujdesshme të bankave, thuhet në raport. Rigjallërimi i kredisë do të mbetet thelbësor për zhvillimin tërësor të ekonomisë shqiptare, siç pranohet nga autoritetet. Fondi del në konkluzionin se, kursimet më të larta të brendshme dhe një rritje pozitive e eksporteve sollën një ngushtim të deficitit të llogarisë korente me 13.8 për qind. Kursi i këmbimit ka qenë përgjithësisht i qëndrueshëm, duke reflektuar kërkesën dhe ofertën e balancuar për monedhë të huaj dhe primin e qëndrueshëm të rrezikut. Kreditimi për ekonominë gjatë vitit 2012 pësoi rritje me 2.4 për qind, ecuria më e dobët historike e regjistruar ndonjëherë.
FMN: Faktorët që pengojnë rritjen ekonomike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email