E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Arabia Saudite nën alarm, raportohen shpërthime të fuqishme në Riad

RIAD, 19 shtator /ATSH-AFP/- Arabia Saudite aktivizoi gjatë natës alarmet për një kërcënim ajror në disa zona të vendit, përfshirë kryeqytetin Riad, ku u dëgjuan dy shpërthime.

Banorët e Riadit morën një njoftim para orës 03:00, sipas orës lokale, ku paralajmëroheshin se zona ndodhej nën një “kërcënim ajror armiqësor” dhe u kërkohej të qëndronin brenda.

Gazetarë të AFP-së në Riad raportuan se dëgjuan dy shpërthime. Pak më vonë, autoritetet saudite hoqën alarmin dhe njoftuan se rreziku kishte kaluar në Riad dhe në qytetin Al-Kharj, në lindje të kryeqytetit.

Deri tani, autoritetet saudite nuk kanë bërë të ditur se çfarë e shkaktoi kërcënimin dhe as nuk kanë konfirmuar, nëse shpërthimet ishin pasojë e interceptimit të një rakete apo droni.

Nuk janë raportuar viktima apo dëme nga incidenti i së shtunës.

Alarmet në Riad vijnë në një periudhë të përshkallëzimit të luftimeve mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Houthi në Jemen.

Grupi, i mbështetur nga Irani, ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj territorit saudit, ndërsa Arabia Saudite ka kryer sulme ajrore në Jemen.

Alarmet e fundit ishin të parat të këtij lloji në kryeqytetin saudit, që prej përshkallëzimit të luftimeve në Jemen në korrik.

Autoritetet saudite u kanë kërkuar banorëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin zonat e hapura gjatë aktivizimit të alarmit.

Sipas agjencisë iraniane “Tasnim”, raportohet për ndërprerje të sistemeve të navigimit në aeroportin e Riadit, por informacioni nuk është konfirmuar nga autoritetet saudite. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›