FOKUS – Australia dhe Zelanda e Re mirëpresin miratimin e fazës së parë të planit të paqes në Gaza

SIDNEJ, 9 tetor /ATSH-DPA/- Australia dhe Zelanda e Re mirëpritën sot njoftimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për arritjen e marrëveshjes Izrael- Hamasi për fazën e parë të planit të paqes në Gaza.
Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ky ishte një “hap shumë i nevojshëm” drejt paqes, duke falënderuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump për përpjekjet e tij diplomatike, së bashku me Egjiptin, Katarin dhe Turqinë.
“Australia ka qenë vazhdimisht pjesë e thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, kthimin e pengjeve dhe rrjedhën e papenguar të ndihmës në Gaza”, tha ai në një deklaratë.
“Ne i nxisim të gjitha palët të respektojnë kushtet e planit”, shtoi Albanese.
“Australia mbështet fuqimisht planin për t’i mohuar Hamasit çdo rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës”, tha ai.
“Ka një rrugë shumë të gjatë drejt rimëkëmbjes në Gaza, duke siguruar paqe afatgjatë dhe duke ndërtuar shtetin palestinez. Së bashku me partnerët tanë, Australia do të vazhdojë të bëjë çmos për të kontribuar në një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme me dy shtete”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters tha se izraelitët ashtu edhe palestinezët kishin vuajtur jashtëzakonisht shumë – që nga shpërthimi i luftës në tetor 2023.
“Sot është një hap i parë pozitiv për t’i dhënë fund të këtyre vuajtjeve”, tha Peters.
Peters tha se të dyja palët tani duhej t’i përmbushnin premtimet e tyre, ndërsa Hamasi duhej të lironte të gjithë pengjet dhe Izraelin të tërhiqte trupat e tij.
“Ky është një hap i parë thelbësor drejt arritjes së paqes së qëndrueshme. Ne nxisim Izraelin dhe Hamasin të vazhdojnë të punojnë drejt një zgjidhjeje të plotë”, tha ai. //a.i/