FOKUS – Bisedimet Iran-SHBA do të mbahen të premten në Oman

TEHERAN, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Negociatat midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit do të zhvillohen në Oman këtë javë, raportuan sot mediet iraniane, megjithëse qeveritë në Uashington dhe Teheran ende nuk e kanë konfirmuar vendndodhjen.
Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi se “negociatat indirekte” do të mbaheshin të premten në kryeqytetin e Omanit, Muscat, duke u përqendruar në programin bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së Steve Witkoff pritet të marrin pjesë në bisedime.
Sipas “Tasnim”, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmail Baghaei tha me herët se si Turqia ashtu edhe Omani, si dhe disa vende të tjera në rajon, kanë “deklaruar gatishmërinë e tyre” për të pritur takimin.
Stambolli, fillimisht u përmend në mediat amerikane si një vend i mundshëm për bisedimet.
Ministria tha se Araghchi kishte biseduar dje në mbrëmje me homologët e tij në Turqi, Oman, Katar dhe Kuvajt.
Ai thuhet se falënderoi ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan për përpjekjet e tij për të ulur tensionet dhe mbështetjen e tij për paqen dhe sigurinë në rajon.
Përpjekjet për të gjetur një vend për negociatat vijnë mes shqetësimeve të reja në lidhje me një sulm ushtarak amerikan ndaj Iranit.
Pas një vale protestash në Iran të cilat u shtypën brutalisht në fillim të këtij viti nga forcat e sigurisë, presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi të ndërhynte, duke u thënë demonstruesve se do të ofronte ndihmë.
Ushtria amerikane që atëherë ka zgjeruar kapacitetet e saj ushtarake në rajon, me aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln” dhe anije të tjera që janë dislokuar në Lindjen e Mesme.
Bisedimet ka të ngjarë të mbulojnë gjithashtu programin bërthamor të diskutueshëm të Iranit, pasi SHBA-ja bombardoi vendet kryesore bërthamore në të gjithë vendin vitin e kaluar. //a.i/