E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Bisedimet për armëpushimin në Gaza në ngërç, pas largimit të Izraelit dhe Hamasit

KAJRO-GAZA, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Raundi i fundit i negociatave në Egjipt për një armëpushim në luftën e Gazës është përsëri në një ngërç, sipas burimeve diplomatike.

Delegacioni izraelit prej 13 anëtarësh, i cili kishte mbërritur në Kajro vetëm disa orë më parë, është larguar.

Emiri Tamim bin Hamad Al Thani, i cili udhëtoi në Kajro për të përfaqësuar Katarin, është larguar gjithashtu nga kryeqyteti egjiptian.

Janë larguar edhe përfaqësuesit e organizatës militante palestineze Hamas, të cilët kishin udhëtuar nga Doha për t’u informuar për ecurinë e bisedimeve në mënyrë indirekte.

Ndërsa Hamasi dhe Izraeli nuk po negociojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, SHBA, Katari dhe Egjipti po veprojnë si ndërmjetës.

Një zyrtar i lartë i Hamasit deklaroi se Izraeli duhet të angazhohet për premtimet e bëra në fillim të korrikut dhe për planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden.

Ai tha se Hamasi ishte i gatshëm të zbatonte marrëveshjet e dakorduara më parë.

Një pjesë e çdo marrëveshjeje për luftën duhet të përfshijë një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza.

Bisedimet kanë ngecur prej muajsh.

Ashtu si me raundin më të fundit të negociatave në Katar, qëllimi ka qenë të kapërcehen dallimet midis Hamasit dhe Izraelit dhe të arrihet një marrëveshje armëpushimi.

Burimet raportojnë se çështja nëse trupat izraelite mund të qëndrojnë të stacionuara përgjatë kufirit Gaza-Egjipt në rast të një armëpushimi mbetet një pikë diskutimi.

Izraeli dyshon se Hamasi e ka përdorur këtë kufi për të kontrabanduar armë, ndërsa Hamasi këmbëngul për një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.

Bisedimet në Kajro u lanë në hije nga sulmet e ndërsjella të rënda nga Izraeli dhe milicia e Hezbollahut në Liban të dielën në mëngjes.

”Megjithatë, kjo nuk ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën e bisedimeve”, thanë burimet.

Hezbollahu thotë se sulmet e tij janë hakmarrje për vrasjen e komandantit të saj ushtarak Fuad Shukr në Bejrut më 30 korrik.

Deri më tani nuk ka asnjë njoftim se kur mund të zhvillohet një raund i ri i mundshëm negociatash./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›