FOKUS – Blinken: Të krijojmë një”paketë të fortë mbështetjeje” për Ukrainën

UASHINGTON, 1 qershor /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se një nga pikat kryesore të agjendës së Takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s do të jetë puna mbi një “paketë të fortë mbështetjeje” për Ukrainën.
Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhanë deklarata të përbashkëta për mediat përpara Takimit Joformal të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në kryeqytetin e Çekisë, Pragë.
Duke deklaruar në takimin që mbahet para Samitit të NATO-s në Washington se do të zhvillojnë diskutime të rëndësishme dhe do të punojnë për pikat e rendit të ditës të samitit, Blinken tha: “Do të shihni një paketë shumë të fortë mbështetjeje për Ukrainën. Dhe ky vendim do të jetë tema kryesore e samitit”.
Blinken shtoi se partneritetet me vendet joanëtare të NATO-s, përfshirë vendet e Indo-Paqësorit do të jenë në axhendë në takim dhe shprehu kënaqësinë e tij për të punuar së bashku me ministrat e Jashtëm për ta bërë samitin në Washington efektiv.
Pasi tërhoqi vëmendjen se ata kanë burime të forta dhe të mira, Blinken potencoi se Aleanca ka rol të rëndësishëm në përballimin e sfidave që mund të përballen në periudhën aktuale dhe në vitet e ardhshme. Ai iu referua përvjetorit të themelimit të NATO-s.
“Ne do të festojmë 75-vjetorin e Aleancës më të suksesshme në histori. Por, më e rëndësishme se kjo është ajo që kemi bërë për të përgatitur dhe forcuar Aleancën për 75 vitet e ardhshme”, tha Blinken. /os/