E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS - Cilat janë kërkesat e gjeneratës Z gjermane që po mobilizohen në protesta? - ATSH -

BERLIN,, 31 tetor /ATSH/ –  Mijëra të rinj pritet të marrin pjesë në protesta në disa qytete të Gjermanisë, në kuadër të nismës “Gen Z steht auf” (Brezi Z ngrihet), e cila kundërshton rritjen e kostos së jetesës, pabarazinë sociale, problemet në arsim dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, shkrual ilmitte.ir.

Organizatorët bëjnë thirrje për protesta paqësore, duke deklaruar se frymëzohen nga demonstratat e fundit studentore në Francë, si dhe nga lëvizjet e të rinjve në Belgjikë dhe Spanjë.

Në qendër të kërkesave të tyre janë përmirësimi i kushteve në shkolla, kundërshtimi i politikave shtrënguese që prekin arsimin, shëndetësinë, kulturën dhe shërbimet sociale, si dhe shqetësimi për rritjen e varfërisë dhe vështirësitë ekonomike.

Të rinjtë kritikojnë gjithashtu shpërndarjen e pabarabartë të barrës ekonomike, duke argumentuar se kostot po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi brezat e rinj dhe punonjësit, ndërsa kompanitë e mëdha vijojnë të realizojnë fitime rekord.

Një tjetër kërkesë kryesore e lëvizjes është kundërshtimi i rikthimit gradual të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Organizatorët shprehen kundër përfshirjes së të rinjve në konflikte të armatosura që ata nuk i kanë zgjedhur.

Lëvizja e përkufizon veten si apolitike dhe thekson se protestat synojnë të bashkojnë të rinjtë përtej dallimeve partiake, duke vënë në plan të parë shqetësimet e tyre dhe të ardhmen e brezit të ri.

Ndërkohë, autoritetet policore kanë nisur përgatitjet për mbarëvajtjen e protestave. Në Berlin, policia po planifikon një angazhim të gjerë të forcave të saj në pritje të demonstratave.  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›