E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – DeepSeek AI dërgon valë tronditëse për firmat e teknologjisë amerikane

LONDËR, 28 janar /ATSH-DPA/ – Shfaqja e kompanisë kineze të inteligjencës artificiale DeepSeek tronditi aksionet e gjigantëve të teknologjisë amerikane dje në mbrëmje, mes shqetësimeve se modeli i ri me kosto të ulët IA do të përmbyste dominimin e tyre.

Aksionet e teknologjisë ranë dhe prodhuesi i çipave ”Nvidia” pësoi rënie prej gati 17%, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump paralajmëroi se shfaqja e DeepSeek ishte një “thirrje zgjimi” për gjigantët ekzistues të IA.

Rënia e çmimit të aksionit të ”Nvidia” shënoi humbjen më të madhe njëditore në vlerën e tregut në Wall Street, prej rreth 589 miliardë dollarësh.

Vetëm një javë pas fillimit të tij, DeepSeek është bërë shpejt aplikacioni falas më i shkarkuar në Shtetet e Bashkuara.

Ai pretendon se modeli i tij i inteligjencës artificiale është bërë me një fraksion të kostos së rivalëve të tij, duke përfshirë OpenAI, i cili përdor çipa më të shtrenjtë ”Nvidia” për të trajnuar sistemet e tij në një pjesë të madhe të të dhënave.

Njoftimi ka ngritur dyshime të rëndësishme mbi të ardhmen e dominimit të firmave amerikane në IA, duke shkaktuar rënie të mprehta për ”Nvidia” si dhe gjigantët e teknologjisë duke përfshirë ”Microsoft”, ”Meta” dhe ”Google Alphabet”, të cilët po shpenzojnë miliarda në IA.

Trump tha se nuk ishte i shqetësuar për përparimin, duke shtuar se shfaqja e DeepSeek mund të jetë “një pozitive” dhe një “thirrje zgjimi” për SHBA-në.

Trump tha gjithashtu se donte të sillte tarifa tregtare që janë “shumë më të mëdha” se 2,5% që disa raporte kishin sugjeruar se ishin të favorizuara nga sekretari i Thesarit, Scott Bessent./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›