FOKUS – EASA: Rrezik i madh për fluturimet mbi hapësirën ajrore iraniane

BERLIN, 17 janar /ATSH-DPA/ – Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Europian (EASA) i bëri thirrje kompanive ajrore që të shmangin përkohësisht hapësirën ajrore iraniane, duke cituar “situatën aktuale dhe mundësinë e veprimeve ushtarake amerikane” atje.
EASA këshilloi operatorët e fluturimeve të tregojnë kujdes dhe të ndërmarrin plane rezervë për operacionet dhe itineraret brenda hapësirës ajrore të vendeve fqinj, veçanërisht aty ku ndodhen bazat ushtarake amerikane.
”Paralajmërimi, që do të qëndrojë në fuqi deri më 16 shkurt, fillimisht do të mbetet i vlefshëm për një muaj”, tha agjencia.
Që nga fillimi i protestave masive kundër sundimit autoritar të Republikës Islamike para më shumë se dy javësh, presidenti Donald Trump ka kërcënuar disa herë Iranin me ndërhyrje amerikane.
EASA njoftoi se forcat iraniane të mbrojtjes ajrore janë “në një gjendje të shtuar gatishmërie” për shkak të përshkallëzimit të situatës, duke shtuar se “aktualisht ka një rritje të mundësisë së identifikimit të gabuar” brenda hapësirës ajrore iraniane.
“Prania dhe përdorimi i mundshëm i një gamë të gjerë armësh dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, së bashku me reagimet e paparashikueshme shtetërore dhe mundësinë e aktivizimit të sistemeve SAM, krijojnë një rrezik të lartë për fluturimet civile në të gjitha lartësitë dhe nivelet e fluturimit”, theksoi autoriteti në një njoftim.
Situata po monitorohet ngushtë për të vlerësuar nivelin e rrezikut.
Sipas raportimeve nga mediat amerikane, Uashingtoni po forcon aktualisht prezencën e tij ushtarake në Lindjen e Mesme, duke përfshirë vendosjen e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe disa anije shoqëruese, por deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga Pentagoni. /Ad.Ab./ a.jor.