FOKUS – Franca kërkon një BE më të fortë mes pretendimeve të Trump ndaj Groenlandës

PARIS, 8 janar /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të mbrohet më mirë kundër sulmeve në kufijtë e tij sovranë, pas komenteve të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për marrjen e Groenlandës.
”Ne jemi një kontinent i fortë dhe duhet të bëhemi më të fortë”, tha Barrot për radion franceze ”France Inter”.
”Nuk mund të bëhet fjalë që BE-ja të lejojë vendet e tjera të botës, kushdo qofshin ata, madje do të thosha duke filluar nga Rusia, të sulmojnë kufijtë e saj sovranë”, theksoi ai.
Barrot tha se ”Bashkimi Evropian duhet të zgjohet dhe të forcohet ushtarakisht dhe nuk duhet të frikësohet apo të bëhet i pasigurt”.
”Nëse më pyesni nëse mendoj se Shtetet e Bashkuara do të pushtojnë Groenlandën, përgjigja është jo”, theksoi ai duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë natyrë imperialiste.
“A kemi hyrë në një epokë ku ligji i xhunglës po kthehet? Përgjigjja është po”, tha ai.
Trump ka shprehur vazhdimisht interes për ishullin e Groenlandës, i cili është pjesë e Danimarkës./ /os/